TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Qershor 2026, 11:47

Publikimi i tezës së Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, reagon ministria: Nxënësi u përjashtua! 

Shkruar nga Pamfleti
Publikimi i tezës së Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe,
Ministria e Arsimit

Provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë për Maturën Shtetërore 2026 u zhvillua këtë të martë në të gjithë vendin.

Vetëm pak minuta pas nisjes së provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë për Maturën Shtetërore 2026, teza e testimit u publikua në rrjetet sociale, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e procesit.

Pas verifikimeve, Ministria e Arsimit bëri të ditur se publikimi ka ndodhur nga një qendër provimi në Qarkun e Kukësit dhe se maturanti përgjegjës është përjashtuar menjëherë nga provimi.

Sipas ministrisë, ngjarja nuk ka ndikuar në mbarëvajtjen e testimit, i cili po zhvillohet në 144 qendra provimi në të gjithë vendin.

Publikimi i tezave gjatë zhvillimit të provimeve të Maturës Shtetërore nuk është një fenomen i ri. Edhe në vitet e mëparshme, teste të ndryshme kanë qarkulluar në rrjetet sociale pak minuta pas nisjes së provimeve, duke nxitur debate mbi efektivitetin e masave të sigurisë.

Përsëritja e këtyre rasteve nga viti në vit ka ngritur pikëpyetje mbi rigorozitetin e kontrollit në qendrat e testimit dhe zbatimin e rregullores së Maturës Shtetërore, pavarësisht masave disiplinore që autoritetet arsimore kanë deklaruar se aplikojnë ndaj shkelësve.

Deklarata e plotë:

Ministria e Arsimit garanton maturantët, prindërit, mësuesit dhe opinionin publik se provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë i Maturës Shtetërore 2026, po zhvillohet në kushte të plota sigurie dhe në zbatim strikt të Rregullores së Maturës Shtetërore, duke siguruar standardet më të larta të testimit për mbi 26,600 maturantët në të gjithë vendin.

Provimi i dytë i Maturës Shtetërore 2026 po zhvillohet normalisht në 144 qendra provimi, në mjedise qetësie, rregulli, transparence dhe sigurie të lartë. Në lidhje me publikimin në rrjetet sociale të fotografive të tezës së provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Ministria e Arsimit sqaron se ky akt ka ndodhur pasi provimi ka nisur dhe nuk ndikon në asnjë mënyrë në zhvillimin apo integritetin e tij.

Një veprim i tillë nuk mund të zbehë punën dhe angazhimin e mijëra mësuesve që kanë punuar me maturantët, e mbi 2 mijë administratorëve të provimit dhe punonjësve të strukturave arsimore, të cilët kanë ndjekur me përkushtim përgatitjen dhe mbarëvajtjen e testimit për Maturën Shtetërore.

Aktualisht është evidentuar se teza është publikuar nga një qendër provimi në Qarkun e Kukësit dhe  maturanti që ka publikuar tezën është përjashtuar menjëherë nga provimi. Siç është bërë e ditur me herët, masat do të aplikohen si ndaj maturantëve që thyejnë rregulloren, ashtu edhe ndaj të gjithë zinxhirit të administruesve të procesit në qendrën e provimit.

Ministria e Arsimit dënon çdo akt që synon të dëmtojë besueshmërinë e procesit të Maturës Shtetërore dhe rithekson se çdo shkelje e rregullave do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me legjislacionin dhe rregulloren në fuqi.

Përgatitjet për Maturën Shtetërore 2026 kanë qenë të plota dhe të mirëkoordinuara, nga hartimi i testeve me standarde të larta profesionalizmi dhe sigurie, certifikimi i personelit administrues, zhvillimi i konsultimeve në shkolla, shpërndarjen e testeve model nga Qendra e Shërbimeve Arsimore tek organizimi i testimeve provë, si dhe ofrimi i mbështetjes psikologjike për maturantët.

Për Ministrinë e Arsimit, prioritet mbetet suksesi i çdo maturanti dhe garantimi i të drejtës së secilit për t’iu nënshtruar provimeve në kushte të barabarta, ndaj angazhimi për një Maturë Shtetërore të drejtë, të ndershme dhe meritokratike do të vijojë pa ndërprerje deri në përfundim të të katër testimeve.

matura shteterore ministria e arsimit

Lini një Përgjigje