Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, ka komentuar ngjarjen e rëndë, duke theksuar se autori i dyshuar vijon të jetë në kërkim dhe konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë.
Sipas Softës, policia ka vendosur një shpërblim prej 10 mijë eurosh për çdo informacion që mund të ndihmojë në kapjen e tij, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes për shkak se personi dyshohet të jetë i armatosur.
Duke folur në emisionin “Dita Jonë”, Softa shtoi se në operacionin për kapjen e autorit janë përfshirë jo vetëm forcat e policisë, por edhe efektivët e RENEA-s, për shkak të nivelit të lartë të rrezikshmërisë.
Duke folur për hetimet, Softa theksoi se autoritetet mund të përdorin edhe të dhënat e antenave të telefonisë celulare për të gjurmuar lëvizjet e personit të kërkuar.
Eksperti solli në vëmendje edhe të shkuarën penale të të dyshuarit, duke kujtuar se ai është arrestuar në vitin 2018 për grabitje. Sipas tij, autori dhe viktima njiheshin me njëri-tjetrin pasi ishin nga e njëjta zonë.
Sipas ekspertit, koha mes konfliktit fillestar dhe ngjarjes së rëndë mund të jetë një tregues se motivet e përplasjes kanë qenë më komplekse sesa një debat i momentit.
“Autori i dyshuar sot është në kërkim. Janë vënë në dispozicion nga policia 10 mijë euro për të gjithë ata që kanë informacion dhe mund të ndihmojnë. I është bërë thirrje publikut për të patur kujdes për shkak të rrezikshmërisë së personit, i cili është i armatosur, dhe për shkak të profilit të tij. Përveç forcave të policisë janë edhe forcat RENEA për shkak të rrezikshmërisë së personit, në tentativë për të lokalizuar dhe arrestuar personin e dyshuar. Personi është i armatosur dhe ka element të rrezikshmërisë së lartë. Mund të përdoren edhe antenat e telefonit celular që mund të tregojë trajektoren e lëvizjes dhe vendndodhjen. Në 2018 ka patur një arrestim për grabitje. Autori dhe viktima janë të të njëjtën zonë, njiheshin. Konflikti ka nisur për një kalçeto, ose jo. Fakti që ka ndodhur të nesërmen, ka një lloj gjakftohtësie dhe konflikti mund të jetë përtej asaj zënke", u shpreh Softa.
Lini një Përgjigje