Shqiptarët që jetojnë në Gjenevë të Zvicrës u mblodhën në protestë kundër qeverisë së Edi Ramës, duke iu bashkuar mobilizimit të diasporës shqiptare në mbështetje të protestuesve në Tiranë.
Me flamuj kombëtarë, këngë patriotike dhe thirrje kundër qeverisë, pjesëmarrësit deklaruan se protesta e tyre lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet në Shqipëri, ku qytetarët kanë dalë në rrugë prej 9 ditësh radhazi.
Gjatë tubimit në Gjenevë, protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e kabinetit qeveritar. Ata shprehën gjithashtu mbështetje për kauzat e ngritura nga protestuesit në Shqipëri, mes tyre edhe kundërshtimin e projektit të Zvërnecit.
"Ne jemi krenarë që jemi shqiptarë, nuk e kemi fshehur kurrë", u shpreh një prej pjesëmarrëseve gjatë protestës.
Javët e fundit, protesta të ngjashme të shqiptarëve janë zhvilluar edhe në disa qytete të tjera europiane ku jeton një komunitet i madh shqiptarësh, mes tyre Hamburgu, Londra, Haga, Berlini, Mynihu dhe Milano.
Ndërsa protesta në Tiranë hyn në ditën e saj të 10-të, organizatorët dhe pjesëmarrësit vijojnë të mbajnë si kërkesë kryesore dorëheqjen e Edi Ramës dhe të qeverisë, duke paralajmëruar vazhdimin e mobilizimit brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Lini një Përgjigje