KLSH ka kërkuar shkarkimin nga detyra të 11 zyrtarëve të lartë, 3 prej të cilëve drejtorë mjaft të rëndësishëm...
Aferat në radhët e institucioneve kanë kapur majat. KLSH ka zbuluar se në vetëm 8 muaj janë shpërdoruar dhe grabitur mbi 190 mln lekë. Bëhet fjalë për një sërë institucionesh që nuk pyesin për ligj dhe bëjnë batërdi me tenderët dhe shpenzimet.
Teksa KLSH ka qenë e matur te kallëzimet penale, ka kërkuar shkarkimin nga detyra të të gjithë atyre që kanë futur duart te buxheti i shtetit. Bëhet fjalë për 11 funksionarë, ku 8 janë të nivelit të ulët dhe 3 janë drejtorë të nivelit të lartë.
“Bazuar në Ligjin nr. 154, datë 27.11.2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, KLSH, për të metat dhe shkeljet e konstatuara, ka adresuar te subjektet e audituara 583 rekomandime për masa disiplinore, nga të cilat 542 masa disiplinore dhe 41 masa administrative.
Konkretisht, për shkeljet e konstatuara në bazë të ligjit të mësipërm, Ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, neni 58 dhe Kodit të Punës, KLSH u ka kërkuar organeve respektive shqyrtimin dhe marrjen e 464 masave disiplinore (pasi për 78 masa të tjera, punonjësit kanë rezultuar të larguar nga puna)”, thuhet në raportin e KLSH.

Po ashtu bëhet me dije se 6 zyrtarë që duhet të shkarkohen janë në Agjensinë e Kadastrës në Tiranë, 1 në Bashkinë Dimal dhe 1 në Bashkinë e Kavajës. Por kur vjen puna te drejtorët, janë 3 emra mjaft të njohur, të cilët me veprimet dhe mosveprimet e tyre i kanë shkaktuar shtetit miliona euro dëm. Por edhe pse KLSH ka kërkuar që ata të shkarkohen, nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga qeveria.
Drejtori i parë për të cilin KLSH ka kërkuar shkarkim është shefja e Traumës, Edlira Bode. KLSH nga një auditim të kryer, zbuloi abuzime të jashtëzakonshme në spital. Duke filluar nga tenderët, te ilaçet, protezat, kushtet në spital, por dhe favoret ndaj koncesionarit të sterilizimit. Ndërkohë nga auditimi rezulton se Spitali Ushtarak nuk ka ambient dhe nuk është i pajisur me frigorifer-morg, për të bërë administrimin e trupave të pacientëve që ndërrojnë jetë në këtë strukturë. Në vitin 2021 pranë këtij spitali kanë ndërruar jetë 90 pacientë, thotë KLSH dhe Spitali i Traumës nuk ka krijuar ambiente të përshtatshme për të ushtruar veprimtarinë e tyre ligjore, strukturat përgjegjëse të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
Emër tjetër është Eltar Deda, administratori i kompanisë shtetërore të naftës, Albpetrol sha. Edhe aty KLSH zbuloi një numër të madh abuzimesh që bëhet me çmimin e naftës dhe rezervave të saj. Për këtë arsye u kërkua shkarkimi i tij, por qeveria nuk e ka vënë ujin në zjarr. Ai konsiderohet përgjegjës, pasi me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka lejuar shkaktimin e dëmit ekonomik në vlerë miliona dollarë, si edhe ka vendosur kompaninë përballë riskut që të humbasë edhe dhjetëra milionë dollarë të tjerë. Audituesit shtetërorë kanë përllogaritur se, vetëm për shkak të kësaj situate, kompanisë Albpetrol i mungojnë rreth 5.8 milionë dollarë të ardhura.
Drejtori më i fundit i zhytur në skandale është Adrian Koni, Drejtor i Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara. KLSH ka zbuluar se afro 50% e pasurive të konfiskuara që kanë kaluar në pronësi të shtetit, u janë dhënë përsëri eksponentëve të krimit me qira simbolike; 287 makina, toka, troje, lokale, apartamente e vila, u janë shitur atyre në ankande me çmime 30-40% të vlerës së tregut, duke përdorur blerës fiktiv. KLSH ka kërkuar nga ministri i Brendshëm shkarkimin e tij, por dhe Balla nuk po vepron si kolegët e tij. Pra, në poste kyçe janë vënë 3 hajdutë që po masakrojnë buxhetin, por shërbimet e tyre ndaj qeverisë duhet të jenë shumë më të vyera, përderisa asnjë ministër nuk po denjon t’i shkarkojë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje