TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi15 Qershor 2026, 17:40

Nga barnat te siguria ushqimore, Arben Shehu rendit shkeljet në institucione: 26.2 mld lekë dëm ekonomik

Shkruar nga Pamfleti
Nga barnat te siguria ushqimore, Arben Shehu rendit shkeljet në
Kreu i KLSH në Komisionin e Ekonomisë

Raporti i KLSH-së për 2025 evidenton një dëm ekonomik prej 26.2 miliardë lekësh, duke nxjerrë në pah shkelje dhe problematika serioze në sektorët e shëndetësisë, menaxhimit të pronave shtetërore, sigurisë ushqimore dhe administrimit të fondeve publike, ndërsa janë referuar edhe raste për ndjekje penale.

Menaxhimi i fondeve publike, administrimi i pronave shtetërore, sistemi shëndetësor dhe siguria ushqimore vijojnë të mbeten ndër fushat më problematike në vend. Kjo u evidentua nga raporti vjetor i Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025, i prezantuar në Komisionin e Ekonomisë nga kreu i institucionit, Arben Shehu.

Sipas raportit, auditimet e kryera gjatë vitit kanë zbuluar një dëm ekonomik që përllogaritet në 26.2 miliardë lekë, ndërsa janë konstatuar shkelje në menaxhimin e shpenzimeve publike, procedurat e shpronësimeve, administrimin e pronës shtetërore dhe zhvillimin e tenderëve.

Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet sektorit të shëndetësisë, ku KLSH ka identifikuar problematika të shumta që lidhen me kontrollin dhe monitorimin e barnave të rimbursueshme.

“Në shëndetësi janë evidentuar në kontrollin e monitorimin e medikamenteve të rimbursueshme, përfshirë depot farmaceutike, mjekët e farmacitë. Probleme në furnizimin me barna, mungesa të zgjatura, raste të shpërndarjes së barnave spitalore në kundërshtim me aktet ligjore”, tha Arben Shehu.

Ai thekson se shqetësuese mbetet edhe situata me administrimin dhe inventarizimin e pronave shtetërore, ku auditimet kanë evidentuar mangësi në zbatimin e procedurave ligjore dhe dokumentimin e tyre.

“Proceset inspektuese të zonave të mbrojtura nuk janë zbatuar në mënyrë të plotë dhe të dokumentuar dhe për disa zona të mbrojtura planet e menaxhimit janë aktualisht në fuqi, për pjesën tjetër i vlefshmërisë dhe zonat nuk janë regjistruar në zyrat e Kadastrës”, pohon kreu i KLSH.

Sipas raportit, problemet nuk kufizohen vetëm në këta sektorë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar mangësi serioze edhe në sistemin e sigurisë ushqimore, duke ngritur shqetësime për funksionimin e mekanizmave të kontrollit përgjatë gjithë zinxhirit të monitorimit të produkteve ushqimore.

“Kontrolli për sigurinë ushqimore ka mangësi thelbësore dhe sistematike përgjatë gjithë zinxhirit, nga importit, inspektimi, analizat etj. Ka pasur vonesa në veprime nga reagime zyrtare. Ka mungesë akreditimi të laboratorëve dhe vetëm gjysma e tyre disponojnë teste të akredituara”, tha kreu i KLSH.

Raporti paraqet gjithashtu një bilanc të masave administrative dhe ligjore të ndërmarra gjatë vitit. Sipas të dhënave të prezantuara, KLSH ka rekomanduar 916 masa disiplinore dhe ka vendosur 59 gjoba. Gjithashtu, janë identifikuar 722 veprime të kryera nga institucione të ndryshme shtetërore që kanë sjellë pasoja financiare në dëm të buxhetit të shtetit.

Për rastet ku auditimet kanë zbuluar dyshime për shkelje të rënda të ligjit, institucioni ka depozituar 8 kallëzime penale. Krahas tyre, 43 materiale të tjera janë referuar pranë organeve ligjzbatuese për hetime të mëtejshme.

Gjetjet e raportit të KLSH-së nxjerrin në pah problematika të përsëritura në administrimin e fondeve dhe pasurive publike, ndërsa institucioni rekomandon forcimin e kontrollit, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e përgjegjshmërisë në përdorimin e burimeve shtetërore.

klsh komisioni i ekonomise arben shehu 2025

1 Komente

  1. L
    L T

    Te merret persiper nga shteti fatura e energjise elektrike dhe e furnizimit me uje per te gjithe shtetasit qe perfitojne ndihme ekonomike/sociale duke percaktuar sakte konsumin e nevojshem te energjise elektrike dhe ujit per banore.

    Lini një Përgjigje