TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Janar 2025, 17:38

Policia zbardh vrasjet “ordinere”, atentatet mbeten ende pa autorë!

Shkruar nga Pamfleti

 

Policia zbardh vrasjet “ordinere”, atentatet mbeten ende pa
Krerët e Policisë Tiranë

Policia e Tiranës ende pa përgjigje për ekzekutimin e biznesmenit Bujar Nasufi...

Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë në Zall Bastar, ku një i moshuar u gjet i pajetë në oborrin e banesës. Pas verifikimeve u zbulua se Xhemal Meta ishte qëlluar me çekiç nga fqinjin i tij, pas një sherri për motive banale.

Drejtori i ri i policisë së kryeqytetit, Elton Alushi doli në një konferencë për mediat, duke e shitur zbulimin e autorit si një arritje të madhe për policinë. Por në deklaratë ai e pranoi dhe vetë se kur vjen puna te atentatet profesionale, policia është në vendnumëro. Drejtori i Policisë u shpreh se për atentatin ndaj biznesmenit Bujar Nasufi po vijojnë hetimet, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë për kapjen e autorit.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur ditët e fundit në Tiranë ku u vra me armë zjarri shtetasi Bujar  Nasufi, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është e angazhuar maksimalisht për zbardhjen sa më shpejt të kësaj ngjarje kriminale. Nën drejtimin e Prokurorisë po punohet intensivisht, duke përdorur metodat speciale të hetimit dhe shfrytëzuar Inteligjencën policore në fuksion të zbardhjes dhe dokumentimit ligjor të kësaj ngjarje.

Gjithashtu janë mbledhur dhe administruar prova shkencore dhe kompjuterike që do ti sherbejnë hetimit për zbardhjen e ngjarjes.

Hetimet janë në dinamikë dhe komplekse dhe për këtë arsye nuk mund të bëjmë më dije të dhëna më shumë për këtë rast”, tha ai.

Deklarata i ngjan asaj që bëri vetë ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha pak ditë më parë, i cili paralajmëroi se i kishin emrat e personave të përfshirë në atentatin e Dobraçit dhe do t'i publikojnë, por edhe ajo ngjarje u harrua. Edhe për këtë ngjarje, deri më tani policia nuk ka arritur të arrestojë asnjë autor.

Po ashtu kemi atentatin në Vlorë, ku një 30-vjeçar u vra në një sulm mafioz përgjatë autostradës. Sërish nuk ka asnjë autor të dyshuar.

Ngjarjet ordinere duket se policia i zbardh kollaj. Vrasja e Ramazan Matajt në Shkodër u zbardh lehtë, teksa u gjet se ai u vra nga Arjon Hasa me vëllanë e tij, pasi ai kishte lidhje me motrën e tyre. Sot u zbardh vrasja e të moshuarit. Pra kur vrasjet nuk bëhen nga profesionistë zbardhen, por kur kemi vrasës me pagesë, policia nuk i arrin dot. /Pamfleti

Lini një Përgjigje