Tensione janë regjistruar gjatë marshimit të Partisë Demokratike, ku policia ka ndërhyrë me autoblindë me ujë për të shpërndarë protestuesit pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë.
Sipas raportimeve nga terreni, efektivët nuk kanë lejuar afrimin e turmës drejt godinës dhe kanë përdorur ujëhedhëse për ta zmbrapsur atë, duke shpërndarë protestuesit në disa drejtime. Situata u tensionua pas përpjekjeve të disa personave për t’iu afruar kordonit të sigurisë.
Më herët, gjatë marshimit në zona të tjera të kryeqytetit, është hedhur një molotov në afërsi të vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha. Pas këtij momenti, forcat e rendit kanë shtuar masat dhe kanë ndërhyrë për të mos lejuar përshkallëzim të mëtejshëm.
Ndërkohë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është parë duke hipur në automjet dhe duke u larguar nga zona e protestës, ndërsa situata mbetet dinamike dhe nën monitorim të forcave të rendit.
Protesta e opozitës u zhvillua në formë marshimi në disa akse të Tiranës, duke nisur nga Kryeministria dhe duke vijuar drejt institucioneve të tjera, ndërsa mbrëmja është shoqëruar me episode tensioni dhe ndërhyrje të policisë për shpërndarjen e turmës.
Lini një Përgjigje