TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Shkurt 2026, 10:33

Policia i thërret për hetime, banorët e Imshtit protestë para Komisariatit: Janë tokat tona, nuk ua japim juve

Shkruar nga Pamfleti
Policia i thërret për hetime, banorët e Imshtit protestë
Banorët e fshatit Imshtë duke protestuar

Në fshatin Imshtë të Njësisë Bubullimë në Lushnjë, banorët kanë dalë të protestojnë teksa denoncojnë përpjekjen për tjetërsimin e tokave që ata i punojnë prej vitesh.

Sipas tyre, bëhet fjalë për sipërfaqe brenda argjinaturës së zonës, të cilat po pretendohen në mënyrë të paligjshme nga një individ, pa asnjë dokument ligjor në mbështetje.

Pas kundërshtimeve të hapura ndaj këtij pretendimi, një pjesë e banorëve janë thirrur sot në Komisariatin e Policisë për të dhënë deklarata. Paralelisht, dhjetëra banorë të tjerë janë grumbulluar pranë ambienteve të policisë lokale më 10 shkurt, në shenjë mbështetjeje për të thirrurit, edhe pse jo të gjithë disponojnë fletëthirrje zyrtare.

Banorët e Imshtës theksojnë se nuk do të pranojnë humbjen e tokave që, sipas tyre, i shfrytëzojnë ndër breza dhe që ligji nuk lejon të tjetërsohen, pasi ndodhen brenda argjinaturës.

Banorët e Imshtës deklarojnë se nuk do të lejojnë që tokat që ata i punojnë prej vitesh të tjetërsohen.

Policia i thërret për hetime, banorët e Imshtit protestë
Banorët e fshatit Imshtë duke protestuar

Një prej tyre rrëfen situatën e krijuar dhe akuzon për shkelje të hapur të ligjit.

“Sipas hartës janë anash lumit dhe i përket fshatit. Nuk ka pasur asnjë zënie e sherr, asnjë sherr nuk ka pasur kur u ndanë, ushqehen fëmijët, mbillet gruri dhe mbahen kalamajtë. Ti mbjell grurin, ata shkojnë e shkelin me këmbë, veçse tani na thërresin këtu pse i mbrojmë. Na i thërresin këtu çunat, janë djem të me edukatë, të vuajtur e punëtorë. Argjinaturën e kemi mirëmbajtur vetë, se në vendet e tjera janë përmbyt. Tani na vjen ky dhe do tokën, ku e gjen? Nuk ka asnjë dokument. Ai thotë se ka dhënë lekë! Kujt ia ka dhënë lekët ai? Lumit?!”, tha një nga banorët.

Policia i thërret për hetime, banorët e Imshtit protestë
Banorët e fshatit Imshtë duke protestuar

Banori vijon më tej duke ngritur shqetësimin për historikun e kësaj toke dhe mungesën totale të dokumentacionit ligjor nga ana e pretenduesit.

“Gjyshërit tanë u vranë për atë tokë, ndaj i thonë Ishtm. Edhe policët i kam shpëtuar atje nga mbytja. Ka 25 vite që na janë qepur për tokën anash lumit, edhe pse Komisioni ia dha fshatit. Bëjini këto, sikur t’ia çoni edhe ministrit këto që të na vijë atje në fshat, mirë bëni!”, tha ai.

Disa nga banorët kanë hyrë në komisariat ndërsa jo të gjithë kanë fletëthirrjet, por kanë ardhur të mbështesin njëri-tjetrin.

Sipas informacioneve, për këto sipërfaqe nuk ekziston asnjë vendim zyrtar dhe as dokumentacion që të justifikojë kalimin e pronësisë te një individ tjetër, qoftë fizik apo juridik.

Banorët shprehen të vendosur për të vijuar rezistencën dhe paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen nga mbrojtja e tokave, të cilat, sipas tyre, i përkasin komunitetit dhe janë shfrytëzuar prej dekadash.

Policia i thërret për hetime, banorët e Imshtit protestë
Banorët e fshatit Imshtë duke protestuar

Lini një Përgjigje