Ditën e sotme ka përfunduar në qeli ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe dy të besuarit e tij.
Arrestimi i tij është kryer në lidhje me hetimet për abuzim të fondeve të huaja të BE-së, në SASPAC, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik gjatë kohës që ai e drejtonte.
Analisti Kreshnik Spahiu ka reaguar pas arrestimit, ku e quan Beqajn një hajdut të lig dhe ordiner. Spahiu shkruan se u mor haku i mijërave të sëmurëve që vdiqën pa ilaçe, dhe pa kujdes shëndetësor.
“Hajdut, i lig, ordiner, i paaftë dhe shpirt zi. Zoti mori hakun e mijëra të sëmurëve që vdiqën pa ilaçe, dhe pa kujdes shëndetësor. Turp për ty dhe kush të vuri”, ka shkruar Spahiu në postimin e tij
Dosja e abuzimeve me fondet e BE-së gjatë kohës që Beqaj ishte drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) po hetohet nga prokurorja Elida Kaçkini.
Hetimet kanë nisur në shtator 2023, ndërsa procedimi ishte regjistruar në emër të Ermal Kurtulajt, koordinator i një projekti me fondet e BE-së, ndërkohë që dyshohet se i përfshirë është edhe Ilir Beqaj, ish drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
Më datë 29 dhjetor 2023, me urdhër të SPAK u ushtrua kontroll në banesën e Ilir Beqajt.
Lini një Përgjigje