
Me sa duket ka filluar numërimi mbrapsht për bosët e krimit dhe politikanët e lidhur me ta, pasi Dumani njofton se do të hapet përfaqësia e DEA-s në Tiranë
Kohët e fundit, vrasjet, trafiqet e drogërave dhe shumë krime të tjera janë bërë pjesë e përditshmërisë në vendin tonë, ndërsa bashkëpunëtorë me kriminelët janë edhe politikanët tanë. Nisur nga kjo, SHBA ka nisur të japë 'mesazhe' për aktorët politikë duke i paralajmëruar se po vëzhgohen nga të gjitha anët dhe kjo është treguar më së miri me ngjarjet e fundit që po ndodhin...
Njoftimi që përfaqësia e DEA-s do të hapet në Tiranë ka lënë 'pa gjumë' krerët e lartë të shtetit dhe jo vetëm, pasi kjo tregon që SHBA nuk ka besim te drejtësia shqiptare.
Kreu i SPAK, Altin Dumani ditën e sotme ka udhëtuar drejt Athinës për të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare në Luftën kundër Drogave.
Bëhet me dije se konferenca do të zhvillohet në kryeqyetin grek nga datat 24-26 Shtator 2024. Gjatë këtij aktiviteti, Altin Dumani ka zhvilluar një takim me administratoren e DEA-s, Anne Milgram.
Zyrtarja amerikane vlerësoi rezultatet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, me fokus të veçantë në trafikimin e narkotikëve. Të dy drejtuesit riafirmuan bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy agjencive dhe u angazhuan për forcimin e tij, i cili do të kulmojë me hapjen e përfaqësisë së DEA-s në Tiranë.
Ky bashkëpunim është jetik për adresimin e suksesshëm të sfidave globale që lidhen me drogën dhe krimin e organizuar.
Pas këtij konfirmimi, mesa duket për bosët e krimit dhe politikanët e lidhur me ta nuk do të ketë më qetësi.
Por, kjo nuk është hera e parë që flitet për përfaqësinë e DEA-s në Tiranë. Më herët ka qenë vetë Ambasada Amerikane ajo që i 'ka futur frikën në palcë' kriminelëve dhe politikanëve bashkëpunëtorë me ta duke konfirmuar se amerikanët nuk ua kanë besën autoriteteve shqiptare dhe veçanërisht policisë.
Ambasada kërkon nga qytetarët që çdo informacion që kanë për trafiqe droge, persona të përfshirë në krime, apo dhe për pastrim parash të kontaktojnë direkt me DEA-n. Pra kërkohet që informacioni të merret direkt nga qytetarët dhe jo nga autoritetet.
“Agjencia e SHBA Kundër Narkotikëve njofton një linjë të re sinjalizimi për Shqipërinë. DEA nxit këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e të ardhurave nga droga ta ndajë informacionin me personelin e DEA-s në whatsApp në: +1 571 502-7846 ose me email në: [email protected]. Të gjitha të dhënat do të mbahen të fshehta. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me to, për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët”, thuhej në njoftimin e ambasadës amerikane.
Si duket DEA amerikane nuk ka besim te policia apo prokuroria shqiptare. Shumë raporte flasin se grupet kriminale depërtojnë deri në nivele të larta dhe amerikanët kanë vendosur që të shmangin autoritetet në mbledhjen e informacioneve. Por duke qenë se kontakti i parë ku qytetarët drejtohen nëse shohin diçka të paligjshme është policia, duket se DEA e ka shmangur këtë institucion dhe i ka dhënë një mesazh të fortë qeverisë.
Pak kohë më parë DEA vendosi të hapë një zyrë të sajën në vendin tonë për të hetuar trafikun e drogës. Në vendin tonë po hynin tonelata me kokainë nga Amerika Latine dhe DEA solli ekspertë dhe hetues. Por duket se agjentët janë angazhuar normalisht dhe kërkojnë bashkëpunim të drejtpërdrejtë me qytetarët për të luftuar këtë fenomen, duke mënjanuar autoritetet. Rama dyshohet se ka korruptuar një agjent të FBI dhe DEA sot ka dhënë mesazhin e qartë se nuk i beson askujt në strukturat shtetërore. /Pamfleti
Lini një Përgjigje