TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Shkurt 2026, 09:57

'Paralizohet' juglindja, reagon ARRSH: Do ripunohet projekti i aksit të ri Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë

Shkruar nga Pamfleti
'Paralizohet' juglindja, reagon ARRSH: Do ripunohet projekti i aksit
'Paralizohet' juglindja

Prej gjashtë ditësh qarkullimi drejt juglindjes mbetet i ndërprerë pas shembjes të aksit Librazhd–Prrenjas.

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se ekipet po punojnë për largimin e masave të dherave në rrugën ekzistuese dhe kanë nisur ndërhyrjet për sistemimin e rrjedhës së lumit Shkumbin. Situata u përkeqësua pas erozionit të vazhdueshëm në zonë, ndërsa një ditë më parë u demontua edhe ura në “Arrat e Gurrës” pasi doli jashtë funksioni.

ARRSH sqaron se për aksin e ri në ndërtim, pas përfundimit të studimit gjeologjik, do të rishikohet projekti i zbatimit për segmentin Elbasan–Librazhd–Qafë Thanë, pjesë e Korridori VIII. 

"Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur punën me intensitet të lartë në disa fronte, me synim zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës së krijuar. Aktualisht po punohet për heqjen e masave të dherave në të dy anët e rrugës ekzistuese, me qëllim hapjen e terrenit ku do të vendosen sondat për realizimin e studimit të detajuar gjeologjik dhe për vlerësimin teknik të zonës pas rrëshqitjes.

Paralelisht, me një mobilizim të shtuar të mjeteve të rënda, kanë nisur punimet për sistemimin e rrjedhës së lumit Shkumbin. Rrjedha po orientohet në krahun e majtë, për të krijuar hapësirën e nevojshme për ndërtimin e një rruge alternative përgjatë linjës hekurudhore.

Pas përfundimit të studimit gjeologjik, do të kryhet ripunimi i projektit të zbatimit për aksin e ri rrugor Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë. Autoriteti Rrugor Shqiptar do të vijojë të informojë në kohë reale mbi ecurinë e punimeve dhe masat e mëtejshme që do të ndërmerren", thuhet në njoftim.

Shembja e rrugës lidhet me gërryerjen e vazhdueshme në basenin e Shkumbinit. Dyshohet se ndërhyrjet masive të kompanive private, të pajisura me leje shtetërore për punimet në segmentin e ri Elbasan–Qafë Thanë, mund të kenë ndikuar në destabilizimin e terrenit.

ARRSH ka vendosur të ndërtojë një rrugë provizore rreth 1.3 kilometra buzë Shkumbinit për të rikthyer përkohësisht qarkullimin, por nuk ka bërë publik një afat të saktë për hapjen e saj.

\'paralizohet\' juglindja arrsh

Lini një Përgjigje