
Situata e krijuar nga rrëshqitjet e dherave në aksin Elbasan–Librazhd–Qafë Thanë ka sjellë ndërhyrje të menjëhershme nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Masat e dheut kanë zënë pjesë të rrugës ekzistuese, duke krijuar vështirësi në qarkullim dhe duke ngritur shqetësime për sigurinë e segmentit.
Deri tani, ARRSH ka nisur pastrimin e zonës nga masat e rëna të dheut në të dy anët e rrugës, për të stabilizuar terrenin dhe për të hapur hapësirën e nevojshme për kryerjen e një studimi të detajuar gjeologjik. Ky studim synon të përcaktojë shkaqet e rrëshqitjes dhe masat teknike që duhen ndërmarrë për të shmangur përsëritjen e fenomenit.
Paralelisht, ka nisur sistemimi i rrjedhës së lumit Shkumbin, i cili po orientohet në krahun e majtë për të krijuar hapësirë për ndërtimin e një rruge alternative përgjatë linjës hekurudhore. Kjo zgjidhje shihet si masë e përkohshme për të garantuar lëvizjen e mjeteve deri në hartimin dhe zbatimin e një projekti të rishikuar për aksin rrugor.
Autoritetet kanë bërë të ditur se, pas përfundimit të studimit gjeologjik, do të ripunohet projekti i zbatimit për segmentin e ri Elbasan–Librazhd–Qafë Thanë, ndërsa informimi mbi ecurinë e punimeve do të vijojë në vijimësi.
Lini një Përgjigje