TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Mars 2026, 11:30

Operatorët e Transportit paralajmërojnë ndërprerje linjash: Nafta po na godet, institucionet të ndërhyjnë!

Shkruar nga Pamfleti

Operatorët e Transportit paralajmërojnë ndërprerje linjash:

Shoqatat e transportit publik kanë ngritur alarmin për pasojat që po sjell rritja e çmimit të karburantit, duke paralajmëruar se linjat urbane dhe ndërqytetëse mund të pësojnë ndryshime që do të ndikojnë drejtpërdrejt tek qytetarët. Sipas përfaqësuesve të sektorit, kostot e larta të naftës po e bëjnë të vështirë vijimin normal të shërbimit, duke rritur rrezikun për reduktim të flotës në qarkullim.

Në një komunikim për mediat, ata kërkuan ndërhyrje nga institucionet, duke theksuar se situata kërkon masa konkrete si ulja e taksave, rritja e çmimit të biletës ose kompensim financiar për operatorët.

Përfaqësuesit e shoqatave paralajmërojnë se në mungesë të një reagimi, numri i autobusëve në qarkullim do të ulet për shkak të pamundësisë për të përballuar kostot e karburantit, çka pritet të sjellë më shumë vonesa dhe vështirësi për qytetarët.

“Ne kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve. Në rast se reduktohet flota, kjo vjen nga mosreagimi i institucioneve”, u shprehën ata.

Reagimi i plotë:

Shoqatat, vlerësojnë të nevojshme të informojnë opinionin publik dhe institucionet përgjegjëse mbi situatën aktuale të sektorit të transportit publik, e cila po ndikohet ndjeshëm nga rritja e vazhdueshme e çmimit të karburantit dhe ndikimi i drejtpërdrejtë i saj në kostot e operimit. Transporti publik, si një shërbim me rëndësi të veçantë për qytetarët dhe për funksionimin e ekonomisë, operon në kushte tarifash të rregulluara ligjërisht dhe me mundësi të kufizuara për të përballuar ndryshime të menjëhershme të kostove. Kështu, rritja e çmimit të naftës nga rreth 145 lekë/litër përpara krizave të fundit, në rreth 214 lekë/litër aktualisht, pra një rritje prej afërsisht 70 lekë për litër, ka sjellë një shtim të konsiderueshëm të shpenzimeve operative për operatorët.

Kjo situatë rëndohet më tej nga pesha e lartë e komponentëve fiskalë në çmimin e karburantit, duke ushtruar një presion të vazhdueshëm mbi kapacitetin financiar të sektorit. Si pasojë, ruajtja e ekuilibrit ndërmjet kostove dhe të ardhurave, si dhe garantimi i të njëjtit nivel shërbimi, me të njëjtën cilësi dhe frekuencë po bëhen gjithnjë e më të vështira.

Pavarësisht adresimeve të vazhdueshme pranë institucioneve përgjegjëse, deri në këtë moment nuk janë ndërmarrë masa konkrete për të përballuar këtë situatë. Në mungesë të ndërhyrjeve të menjëhershme, ekziston rreziku që operatorët të mos jenë në gjendje të ruajnë nivelin aktual të operimit dhe frekuencat e shërbimit, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët. Megjithatë, theksojmë se operatorët nuk synojnë reduktimin e shërbimit apo rritjen e çmimit të biletës, por vijueshmërinë dhe cilësinë e tij. Në kushtet aktuale, kjo bëhet gjithnjë e më e vështirë për t'u garantuar pa mbështetje institucionale.

Për sa më sipër, kërkojmë nga institucionet përgjegjëse ndërmarrjen e masave konkrete dhe të menjëhershme, konkretisht:

1- rishikimin e barrës fiskale mbi karburantin, veçanërisht në drejtim të akcizës dhe taksës së qarkullimit;

2- vlerësimin e një politike të veçantë për sektorin e transportit publik për heqjen e TVSH-së;

3- aplikimin e mekanizmave subvencionues ose kompensues, me qëllim garantimin e vijueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së këtij shërbimi në interes të qytetarëve.

nafte autobuse

Lini një Përgjigje