
Fermerët e rrethit të Krujës kanë ngritur shqetësimin për rritjen e ndjeshme të çmimeve të karburantit dhe inputeve bujqësore, duke theksuar se shtrenjtimi ka nisur edhe para zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme. Sipas tyre, kostot për plehra, fara dhe shërbime bujqësore janë rritur me 30 deri në 40 për qind, duke rënduar ndjeshëm mbi ekonominë e fermave.
Kjo situatë po reflektohet drejtpërdrejt në kostot e punës, ku vetëm plugimi i një hektari toke ka shënuar një rritje prej rreth 5000 lekësh të reja, ndërsa edhe proceset e tjera janë shtrenjtuar, duke bërë që prodhimi në shumë raste të mos justifikojë më investimin.
Fermerët shprehen se përballja me këto çmime po i detyron të hyjnë në borxhe apo të heqin dorë nga mjetet e punës, ndërsa kritikojnë edhe skemat e mbështetjes.
“Sivjet jemi të detyruar të marrim lek borxhe nëpër miq e të afërm e të punojmë tokat, madje disa prej nesh po shesin agregatet se s’kan lek për naftë…Skema e subvencioneve nuk është efikase pasi sasia e naftës që na jep shteti nuk mjafton as për një proces pune jo me për të përballuar të gjithë proceset…Kërkojmë nga shteti të vejë dorë e të ndaloje abuzimin që po behet qofte me naftën e qoftë me imputet pasi ato nuk kane hyre sot në Shqipëri po kane disa muaj e s’ka si ngrihet çmimi në këtë mënyrë për një mall që ka kohë që është magazinuar”, u shpreh një prej fermerëve për "News 24".
Ndërkohë, fermerët kërkojnë ndërhyrje nga institucionet për të kontrolluar tregun dhe për të shmangur abuzimet me çmimet, duke paralajmëruar se situata aktuale rrezikon seriozisht vijimin e aktivitetit bujqësor.
Lini një Përgjigje