Këshilltari bashkiak, Franko Hakilja, i partisë së Ilir Metës është arrestuar në Elbasan në kuadër të operacionit “Tempulli”.
Në operacionin "Tempulli 2", ku në pranga kanë rënë 273 shtetas, është sekuestruar drogë, armë pa leje dhe para, të cilat dyshohet se ishin përfituar nga aktiviteti kriminal.
Gjatë kësaj faze të operacionit “Tempulli 2”, konkretisht u sekuestruan: 7.5 kilogramë kokainë, 560 kilogramë kanabis, një sasi heroine, 10 armë zjarri, 16 armë gjahu, 3 armë sportive, 9 armë të ftohta, municion luftarak i kalibrave të ndryshëm, 2 granata dore, 1 jelek antiplumb, 184 celularë, 40 automjete, 11 peshore elektronike dhe shuma të konsiderueshme parash (lekë, paund dhe euro).
Operacion është zhvilluar mbrëmë dhe sot (21-22 janar), ku 26 prej tyre kanë qenë në kërkim.
Kujtojmë se Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku tha se ky operacion ka nisur që në dhjetor të vitit të kaluar.
“Ka qenë një operacion i suksesshëm. Operacioni Tempulli 2 ka filluar në javën e parë të muajt dhjetor, dhe përgjatë kësaj kohë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në bashkëpunim të ngushte me Prokurorinë e Përgjithshme kanë iniciuar 66 hetime proaktive, për goditjen e anëtarëve të grupeve kriminale. Janë marrë 295 urdhra ndalimi dhe vendime arresti, si dhe 306 vendime kontrolli. Nga operacioni policia ka arritur te finalizoj arrestimin për 273 shtetas dhe janë sekuestruar një sërë provash materiale që dëshmojnë aktivitetin e tyre kriminal. Faza e dytë e operacionit nuk lidhet vetëm me shkollat por me të gjithë vendin dhe në zonat komunitare. Fokusi i policisë së shtetit ka qenë goditja e fenomenit të shpërndarjes së naroktikës tek adoleshentët. Në këtë operacion përveç çështjeve që lidhen me lëndën narkotike, janë sekuestruar edhe prova që kanë të bëjmë me tërësinë e operacionit vijues “Sundimi i ligjit”, deklaroi Rrumbullaku.
Lini një Përgjigje