
Nuk kanë fund skandalet me rrugët në vend. Pas problemeve të rënda në aksin Librazhd–Elbasan, tashmë është shembur edhe Unaza e Burrelit, një investim i përfunduar në vitin 2025 me fond publik prej 1.2 milionë eurosh.
Pamjet e publikuara këtë të martë tregojnë segmente të dëmtuara dhe të çara të rrugës, vetëm një muaj pas përfundimit të punimeve. Rasti është bërë publik nga deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, e cila ka publikuar foto dhe ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet.
“Pamje apokaliptike të reja nga Unaza e Burrelit. Unaza e Burrelit u ndërtua në 2025. U mbyll ‘brenda afatit’. U pagua me 1.2 milion euro, para publike. Në 2026 është e shembur në disa segmente. Tani askush nuk mund t’i ikë përgjegjësisë”, shkruan Vata.
Deputetja thekson se që në vitin 2020 ekzistojnë korrespondenca zyrtare mes Bashkisë Mat dhe ARRSH-së, ku bashkia ka kërkuar financimin dhe ka deklaruar se projekti i plotë ishte hartuar dhe depozituar pranë institucionit qendror.
“Sot ARRSH në një shkresë zyrtare më është përgjigjur dhe thotë: projekti i Bashkisë nuk kishte parashikuar rrëshqitje. Nëse projekti ishte i gabuar, pse u miratua? Nëse studimi ishte i mangët, pse u financua? Nëse zona kishte precedentë rrëshqitjeje, pse nuk u reflektuan në projekt?”, shprehet ajo.
Sipas saj, përgjegjësia është zinxhir dhe përfshin të gjitha hallkat institucionale: “ARRSH nuk është noter por autoritet kontraktor. Ka detyrë ligjore të verifikojë, rishikojë dhe miratojë projektin përpara se të hapë tenderin dhe të paguajë fondet. Bashkia mban përgjegjësi për të dhënat dhe projektin që ka dorëzuar. Studio projektimi mban përgjegjësi profesionale për përmbajtjen teknike. Firma zbatuese mban përgjegjësi për cilësinë e punimeve. Mbikëqyrësi mban përgjegjësi për kontrollin në terren. ARRSH mban përgjegjësi për miratimin, certifikimin dhe pagesën.”
Lini një Përgjigje