TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Shkurt 2026, 16:37

Shteti online i Edi Ramës në kolaps, bien faqet qeveritare

Shkruar nga Pamfleti
Shteti online i Edi Ramës në kolaps, bien faqet qeveritare
Foto ilustruese

Shumë faqe zyrtare të institucioneve qeveritare me domain “.gov.al” nuk kanë qenë të aksesueshme gjatë ditës së sotme, duke krijuar vështirësi për qytetarët dhe bizneset.

Mes institucioneve që nuk hapeshin renditen Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Agjencia e Trajtimit të Pronave, si dhe të tjera faqe institucionale.

Sipas informacioneve, rënia e sistemit ka ndikuar edhe në funksionimin e internetit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Gjatë ditës janë raportuar edhe ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike në institucion.

Probleme kanë raportuar edhe bizneset, të cilat nuk kanë arritur të fiskalizojnë faturat për shkak të mosfunksionimit të sistemeve përkatëse.

Shteti online i Edi Ramës në kolaps, bien faqet qeveritare

Burime nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila hoston faqet qeveritare dhe menaxhon platformën e-Albania, domain-in zyrtar “gov.al”, si dhe administron qendrën shtetërore të të dhënave, kanë bërë me dije se në disa institucione ka pasur mungesë energjie elektrike, ndërsa faqet zyrtare, sipas tyre, janë funksionale.

Prej muajsh, si bizneset ashtu edhe individët raportojnë vështirësi të herëpashershme në aksesin në faqet qeveritare dhe sistemet elektronike shtetërore.

Për disa javë, sistemi “self-care”, i përdorur gjerësisht nga bizneset, nuk ka qenë funksional, duke penguar aktivitetin e tyre. Po ashtu, një javë më parë, Sistemi Informatik i Menaxhimit Financiar të Shqipërisë (AFMIS) rezultoi jashtë funksionit, çka detyroi Agjencinë e Prokurimit Publik të njoftojë institucionet për pajisjen me numër transaksioni për procedurat e prokurimit.

Sipas të dhënave, procedura e mirëmbajtjes së sistemit ka mbetur pezull që prej korrikut të vitit të kaluar, ndërsa disa tenderë mirëmbajtjeje janë anuluar ose zvarritur për shkak të ankimimeve. Mes tyre përmendet edhe tenderi për shërbimin e internetit, i cili mori miratim nga Komisioni i Prokurimit Publik në javën e parë të shkurtit, si dhe tenderi për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit, i cili është pezulluar disa herë.

Lini një Përgjigje