SPAK kërkon 13 vite burg për biznesmenin Rezart Taçi.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar 13 vite burg për biznesmenin Rezart Taçi, i akuzuar për tentativë pastrimi të 18.3 milionë eurove që dyshohet se i përkasin mafias italiane “Cosa Nostra”.
Kërkesa u paraqit nga prokurori Klodian Braho, i cili kërkoi gjithashtu konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të shumës prej 18 milionë eurosh, që sipas organit të akuzës lidhen me aktivitet kriminal.
Taçi ndodhet në kërkim dhe po gjykohet në mungesë, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, e dhënë po në mungesë. Procesi ndaj tij ishte pezulluar për rreth një vit për shkak të mosgjetjes së biznesmenit për ekzekutimin e masës.
SPAK e akuzon Taçin për veprat penale “pastrim parash” dhe “grup i strukturuar kriminal”, në kuadër të një skeme të dyshuar për transferimin dhe legalizimin e fondeve që dyshohet se burojnë nga aktivitete të paligjshme të organizatës mafioze italiane.
Nga ana tjetër, mbrojtja ligjore e Taçit, përmes avokates Ilenja Mëhilli, ka kërkuar pushimin e çështjes. Sipas saj, procesi është veçuar për disa shtetas italianë Francesco Zummo, Ignazio Zumo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli të cilët po gjykohen në Itali. Sipas avokatëve, edhe Rezart Taçi është duke u përballur me proces gjyqësor atje.
Çështja ndaj biznesmenit shqiptar vijon në Gjykatën e Posaçme, ndërsa trupa gjykuese pritet të shprehet mbi kërkesën e SPAK për dënim dhe konfiskim të pasurisë së dyshuar si produkt i veprimtarisë kriminale.
Lini një Përgjigje