Këtë të martë u zhvillua seanca e radhës gjyqësore për çështjen e “Gërdecit”, ku i pandehur është ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Në përfundim të seancës, Mediu doli në një prononcim për mediat, ku kundërshtoi vijimin e procesit në kushtet aktuale. Ai deklaroi se, sipas tij, akuza nuk ka paraqitur prova konkrete që e implikojnë në shpërdorim detyre.
“Ato që pretendon prokuroria si prova s’kanë lidhje me ministrin. S’ka akt ligjor kushtetues që ministri mund të ketë bërë shpërdorim detyre. S’mund të vazhdojë një proces me aludime se çfarë ka ndodhur”, tha ndër të tjera Mediu.
Ish-ministri ngriti gjithashtu shqetësimin për përbërjen e trupës gjykuese, duke theksuar se, sipas tij, gjyqtari i fazës paraprake nuk duhet të jetë i njëjti që shqyrton çështjen në themel.
Procesi për “Gërdecin”, që lidhet me shpërthimin tragjik të vitit 2008, vijon të jetë një nga çështjet më të ndjeshme në sistemin e drejtësisë, ndërsa palët mbeten në qëndrime të kundërta lidhur me provat dhe përgjegjësitë.
Lini një Përgjigje