Ajo ishte shumë e re kur e takoi Jeffrey Epstein dhe në atë kohë nuk e dinte kush ishte ai. Epstein, i mahnitur pas saj, donte t’i blinte modeles me origjinë nga Shqipëria një Mercedes me vlerë 100 mijë paund…
Modelja 39-vjeçare Misse Beqiri ka siguruar një vend në sezonin e ri të “Ladies of London: The New Reign”, duke rikthyer emrin e saj në qendër të vëmendjes. Por pas shkëlqimit fshihet një e shkuar shumë e errët, ku vrasja, krimi i organizuar dhe divorci kanë luajtur rol.
Sipas tabloidit britanik The Sun, rikthimi i saj shoqërohet me jehonën e një të shkuare të ndërlikuar, dhe duket se modelja përndiqet nga hijet e së kaluarës.
Misse ka kaluar vite duke u përpjekur ta lërë pas këtë periudhë, dhe pothuajse ia doli, derisa emri i saj u shfaq këtë javë në dosjet e Epstein. Burime pranë saj tregojnë si ndihet në të vërtetë nëna e dy fëmijëve për errësirën që i ka trokitur sërish në derë.

Një burim tha se “sigurisht që ishte një tronditje e plotë kur mësoi se emri i saj ishte përmendur në dosjet e Jeffrey Epstein. Ajo ishte shumë e re kur e takoi dhe në atë kohë nuk e dinte kush ishte ai”.
“Natyrisht që u ndje e vlerësuar nga vëmendja e tij, por asgjë nuk ndodhi. Ishte një modele e re që përpiqej të ndërtonte karrierën e saj; ai i premtoi kontrata modelingu dhe kjo është arsyeja pse ajo pranoi fillimisht ta takonte. Tani ajo pendohet për këtë. Ndihet keq për të gjitha viktimat në këtë situatë dhe beson se drejtësia do të vihet në vend. Ajo e di që nuk ka bërë asgjë të gabuar, ajo thjesht e takoi, ishte ai që e kërkoi, jo e kundërta. Dhe ata që e njohin, e dinë të vërtetën”, shprehet burimi.
The Sun raportoi se Epstein i kishte ofruar Misse-s ta çonte me avion privat në Paris. Ai ishte i vendosur të shkonte me të në një sfilatë mode në qytet.
Epstein, i mahnitur pas saj, madje donte t’i blinte Misse-s, e cila është me origjinë nga Shqipëria por është rritur në Suedi, një Mercedes me vlerë 100 mijë paund.

Ata u prezantuan nga një mik i përbashkët dhe u takuan për herë të parë në vitin 2011 në rezidencën e tij në Manhattan, me vlerë 37 milionë paund. Misse mbeti e habitur kur pa se vila 7-katëshe kishte një klasë të improvizuar me banka shkollore, por vendosi të qëndronte pasi shpresonte se ai mund ta ndihmonte në karrierë.
Ata u takuan vetëm disa muaj pasi ai kishte kryer 13 muaj burg, si dhe një vit arrest shtëpie, pas dënimit të tij në vitin 2008 për sigurimin e një të miture për prostitucion.
Një mik tha se “ajo në atë kohë nuk dinte për dënimin e tij”.
Sot ajo e di mirë se në letër jeta e saj nuk duket aspak e pastër: divorci nga futbollisti Anders Lindegaard, romanca e trazuar me Jake Hall dhe e shkuara kriminale e vëllait dhe vrasja e tij kanë ndikuar në imazhin e saj.

Por burime thonë se programi i ri është një mundësi për një fillim të ri dhe se prioriteti i saj tani është të përqendrohet në një të ardhme të sigurt për fëmijët e saj.
Ajo është nënë e Julian, 11 vjeç, nga martesa me Anders, dhe e River, 8 vjeç, nga lidhja me ish-të fejuarin Jake Hall.
Burimi shtoi se “ajo është shumë e emocionuar për programin e ri, është vërtet një fillim i ri për të dhe mezi pret që njerëzit të shohin më në fund se kush është ajo në të vërtetë”.
“Ajo dëshiron të krijojë markën e saj personale dhe programi do ta ndihmojë në këtë. Misse është shumë më tepër sesa ish-bashkëshortja e një futbollisti të Premier League dhe ish-partnerja e një ylli të Towie. Tani është koha e saj të shkëlqejë dhe, tani që fëmijët janë rritur pak, ajo nuk ndihet më aq fajtore kur largohet për punë”, shtoi burimi.
Duke reflektuar për rolin e saj të ri, kur pa për herë të parë billboard-in me imazhin e saj, Misse u tregua e hapur me ndjekësit: “çfarë momenti surreal. Jam jashtëzakonisht krenare për ne, për përpjekjen, zemrat e hapura, gjithçka që sollëm këtë sezon. Jeta nuk më është dhënë në një pjatë të artë. Nuk jam perfekte, por e di vlerën time dhe jam rritur në një person për të cilin jam krenare”.

“Ky program nuk është thjesht një punë për ne, është bërë jeta jonë, ashtu si edhe kasti. Jam shumë mirënjohëse për këdo që më qëndroi pranë kur isha e rrënuar, kur nuk mund të ngrihesha nga shtrati, por u ngrita, sepse njerëzit besuan tek unë. Dhe do të vazhdoj gjithmonë të luftoj për një jetë më të mirë për mua dhe fëmijët e mi.
Të shoh këtë billboard nuk përmbledh të gjitha momentet krenare, por tregon se mund të biesh shumë herë dhe sërish të ngrihesh. Ja një kapitull i ri”, shprehet ajo.
Misse nuk është e panjohur për shfaqjet televizive, ajo ka marrë pjesë në “Real Housewives of Cheshire”, ku në qendër ishte shpërbërja e martesës me Anders.

Në skena emocionale, ajo i tha bashkëprotagonistes Dawn Ward se “psikologjikisht nuk jam në një vend të mirë, unë dhe Anders po largohemi nga njëri-tjetri dhe po bëhemi njerëz të ndryshëm. Po mbaj gjithçka brenda vetes, ndjej sikur do të shpërthej çdo sekondë.”
Misse ishte e martuar me portierin Anders, i cili luajti për Manchester United nga viti 2010 deri në 2015 dhe fitoi dy herë titullin e Premier League, për dy vite përpara ndarjes në 2016. Po atë vit ajo nisi lidhjen me ish-yllin e Towie, Jake, dhe në vitin 2017 lindi vajza e tyre River.
Romancë e trazuar
Ndërsa marrëdhënia me stilistin Jake u thellua, çifti u fejua dhe Misse vendosi të largohej nga Cheshire për të nisur një jetë me të në Essex.
Ishte një vendim i madh për të dhe i vështirë, duke thënë në atë kohë: “është shkatërruese, por çdo gjë ka fundin e saj. Po vazhdoj përpara dhe po ndërtoj jetën time me Jake në Londër.”
Përralla me Jake nuk zgjati shumë. Në vitin 2018, pak pas fejesës, Jake mori një urdhër ndalimi pasi policia u thirr për një debat të ashpër me Misse. Ai u ndalua ta kontaktonte për 28 ditë, Jake mohoi çdo akuzë për dhunë, por pranoi se zërat ishin ngritur dhe ra dakord se “ndoshta nevojitej një periudhë qetësimi”. Marrëdhënia mbeti e tensionuar dhe në vitin 2021 ata u ndanë përfundimisht.
Një atentat tronditës
Misse kishte përjetuar shumë, vëllai i saj, Flamur Beqiri, u qëllua për vdekje përpara familjes së tij jashtë shtëpisë në Battersea, në jugperëndim të Londrës, pasi kishte qenë për darkë, nga një atentator i maskuar në prag të Krishtlindjes 2019. Pamjet dramatike të kamerave të sigurisë treguan bashkëshorten e tij, Debora Krasniqi, duke bërtitur dhe duke mbajtur në krahë djalin 2-vjeçar.
Foshnja tre muajshe dhe tre gjyshërit e fëmijëve ndodheshin brenda shtëpisë kur ai u godit nga tetë plumba dhe u qëllua dhjetë herë. Gjykata dëgjoi se Flamuri ishte pjesë e një rrjeti të krimit të organizuar të përfshirë në “rivalitet të dhunshëm” me një grup tjetër në Skandinavi dhe se ai ishte “i përfshirë në krim të rëndë dhe të organizuar”. Ai ishte dyshuar për “trafik ndërkombëtar droge” që nga viti 2007 dhe ishte arrestuar “në disa raste” në Europë.

Anis Hemissi, i përshkruar si “vrasës me pagesë” i mafias suedeze, u dënua me burgim të përjetshëm me një minimum prej 35 vitesh. Vdekja e tij e tronditi plotësisht jetën e Misse-s dhe një vit më vonë ajo ende nuk arrinte ta pranonte atë që kishte ndodhur.
Ajo shkroi: “nuk pata mundësi të të them të dua, nuk pata mundësi të të them se do të më mungosh. Të mbaj në zemër pavarësisht sa larg je, drejt qiellit do të doja të fluturoja. Do të kujtoj çdo ditë me ty. Na le një vit më parë dhe asgjë nuk ka qenë më njësoj. E di që i ndjen lotët e mi dhe nuk do që ne të qajmë, por zemra ime është e thyer sepse nuk e kuptoj pse”.

Humbja ndikoi edhe në marrëdhënien e saj me Jake. Një burim tha se “lidhja e tyre u vu në provë pas një sërë situatash të vështira, përfshirë vdekjen tragjike të vëllait të saj të dashur, Flamur. Ishte shumë e vështirë për të dy dhe e patën të pamundur ta mbanin marrëdhënien.”
Ata mbetën pranë për hir të rritjes së përbashkët të vajzës, duke nxitur herë pas here spekulime për një rikthim.
Rruga drejt famës
Misse ishte adoleshente dhe punonte në një dyqan veshjesh në Kopenhagë kur u zbulua si modele.
Karriera e saj mori hov shpejt. Ajo sfiloi në Paris, Milano dhe Nju Jork. Më pas njohu Andersin dhe u përfshi në jetën e një WAG-u, gjë që e çoi në “Real Housewives of Cheshire”.
Dhe nuk është e vështirë të kuptohet pse ajo përfaqëson profilin tipik të televizionit reality: energjike, e guximshme dhe shumë e bukur, me një prekje rreziku. Tani, më në fund, është koha e Misse-s për të dalë në qendër të vëmendjes, këtë herë sipas kushteve të saj. /Përshtatur nga The Sun/
Punë kurva$h!!