
Disa qindra persona i dhanë lamtumirën e fundit Ilaria Sulës, 22-vjeçares së vrarë në Romë nga ish-i dashuri i saj Mark Antony Samson.
Sipas autopsisë, e reja vdiq nga hemorragjia e shkaktuar nga tre plagë me thikë. Nëna e djalit është “nën hetim për bashkëpunim në fshehjen e kufomës”, tha Fabrizio Gallo, avokati i 23-vjeçarit të arrestuar. Por nëse në Romë hetuesit vazhdojnë të hetojnë krimin, në Terni një kortezh ndoqi arkivolin e vajzës deri në varrezat e bashkisë.
Qindra njerëz e ndoqën arkivolin dhe më pas e shoqëruan deri në varrezat e qytetit ku u lëshuan tullumbace në kujtim të vajzës. Por gjatë gjithë procesionit mund të lexoheshin pankarta, postera dhe mendime të shumta në kujtim të Ilarias. Të pranishëm ishin përfaqësues nga institucionet vendore, përfaqësues të provincës dhe bashkisë Terni, si dhe rektorja e Universitetit La Sapienza të Romës Antonella Polimeni.
Babai i Ilarias: “Nuk e meritonte këtë fund”
''Jemi këtu për t'i thënë lamtumirë vajzës sime Ilaria për herë të fundit, ajo nuk e meritonte këtë fund sepse ishte vërtet një engjëll. Kërkojmë drejtësi dhe falenderojmë policinë italiane”, tha Flamur Sula, babai i Ilarias në fund të ceremonisë mortore. Duke iu referuar Samsonit, babai i vajzës u shpreh: "ai duhet të kalbet në burg". Vëllai i vajzës, Leoni, e quajti motrën e tij një "vajzë të artë”.
![]()
Hetimet supozojnë se vrasja e Ilaria Sulës ka ndodhur më 25 mars, ditën e zhdukjes së të resë. Atë mbrëmje vajza do të shkonte në shtëpinë ku Samsoni jetonte me prindërit e tij, në via Homs në lagjen afrikane të Romës. Policia gjeti disa njolla gjaku në dhomën e gjumit të ish-të dashurit. Materiali biologjik është mbledhur për analiza mjeko-ligjore. Nën vëzhgimin e hetuesve është edhe pozicioni i prindërve të Samsonit, të cilët ndodheshin në shtëpi në momentin e vrasjes. Nëna e djalit është nën hetim për bashkëpunim në fshehjen e një kufome.
Lini një Përgjigje