TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Prill 2025, 15:36

Inceneratori i Tiranës, GJKKO shpall vendimin më 16 prill; sa vite burg rrezikon Lefter Koka?

Shkruar nga Pamfleti

Inceneratori i Tiranës, GJKKO shpall vendimin më 16 prill; sa vite

GJKKO do të shpallë më 16 prill vendimin për të pandehurit e aferës së inceneratorit të Tiranës.

Në këtë proces, ndër të akuzuarit ndodhet edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili përballet me akuza për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash, lidhur me kontratat dhe fondet publike të përfshira në ndërtimin dhe menaxhimin e inceneratorëve në disa qytete.

Hetimet janë kryer nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila ka paraqitur prova për përfshirjen e Kokës dhe disa zyrtarëve të tjerë në skema korruptive që dyshohet të kenë sjellë miliona euro dëme për buxhetin e shtetit.

SPAK ka kërkuar dënimin me 4 vite burg të ish-ministrit Koka, i cili gjykohet me gjykim të shkurtuar së bashku me 7 të akuzuarit e tjerë.

Gjithashtu SPAK ka kërkuar këto dënime për të pandehurit:

Bledar Karoli 4 vjet burg
Fatjon Murati 4 vjet burg
Taulant Tushe 4 vjet burg
Namik Simixhi 4 vjet burg
Valbona Ballgjini 2 vjet burg, 4 vjet sherbim prove
Sidita Kopliku 2 vjet burg, 4 vjet sherbim prove
Jetmir Llapaj 2 vjet burg

Për inceneratorin e Fierit, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka është dënuar me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar iu zbrit në 6.8 vite qëndrim pas hekurave. Për inceneratorin e Elbasanit, ish-ministri Koka u dënua me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të kryejë 6.8 burg edhe për këtë çështje.

SPAK për inceneratorin e Tiranës

Sipas SPAK, nga aktet e administruara kontrata lidhur mes Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k,, me kosto të investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare në vlerën 128.248.330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH, janë konstatuar veprime të kundraligjshme të kryera për shkak të detyrës të personave të pandehur.

Veprimet e kundraligjshme janë konstatuar në lidhje me propozimin për dhënien e bonusit shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, anëtarët e Komisionit të Dhënies së Koncesionit, të përbërë nga të pandehurit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me Ish Ministrin e Mjedisit, të pandehurin Lefter Koka, Alba Thoma, Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Mjedisit, Bledar Karoli, Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit.

Sipas organit të hetimit rezulton se, anëtarët e Komisionit kanë propozuar dhënien e bonusit, pa hartuar një raport përmbledhës, si dhe kur është bërë propozimi për dhënien e bonusit, komisioni i dhënies së koncesionit ende nuk kishte sqaruar kostot e projektit. Nga ana e zyrtarëve të Autoritetit Kontraktor, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, Drejtoresha Juridike e Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma, Përgjegjësi i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit, Bledar Karoli, është përgatitur dhe dërguar më pas projektvendimi në Këshillin e Ministrave, për dhënien e bonusit prej 8 % të pikëve totale të garës shoqërisë propozuese.

Në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit rezulton se shoqëria propozuese “Integrated Energy BV” (në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k)ka qenë në dijeni të rrethanave konkurruese para se të shpallej procedura.

Sipas SPAK, kjo ka ndodhur në sajë të ndihmës së dhënë nga vetë funksionarët e Ministrisë së Mjedisit, Lefter Koka, ish Ministër i Mjedisit,  Alba Thoma, Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike, Bledar Karoli, Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve, si dhe nga anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, ku shoqëria propozuese “Integrated Energy BV” është pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministrinë e Mjedisit para dhe gjatë procedurës koncesionare, me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie.

Kurse, në lidhje me hartimin dhe miratimin e dokumenteve standarte të koncesionit, anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me titullarin e Autoritetit Kontraktor, Lefter Koka, ish Ministër i Mjedisit, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion, partneritet publik privat”, i ndryshuar.

Në lidhje me studimin e fizibilitetit, anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin përsa i përket përllogaritjeve të kostove në studimin e fizibilitetit, duke i marrë kostot nga studimi i fizibilitetit të shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, pa kryer asnjë verifikim në lidhje me vërtetësinë e tyre.

Nga aktet e administruara, thotë SPAK,  rezultojnë të dhëna fiktive të vendosura në studimin e fizibilitetit, të cilët kanë rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton.

Lini një Përgjigje