TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Maj 2026, 20:28

Nga referendumi dhe dhuna e 1996, te pesha në PS dhe përplasjet me Nanon, kush ishte Servet Pëllumbi

Shkruar nga Pamfleti
Nga referendumi dhe dhuna e 1996, te pesha në PS dhe përplasjet me
Nano-Pëllumbi dhe dhuna e 1996

Partia Socialiste ka humbur sot një prej figurave historike të saj, profesor Servet Pëllumbin. Ai u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, teksa ka pasur një peshë shumë të madhe në kampin rozë.

Ndryshimet demokratike në vitin 1990 e pozicionuan Servet Pëllumbin në postin e nënkryetarit të PS, si pjesa konservatore e kësaj partie, përballë rrymës liberale të Fatos Nanos. Këtë post ai e mbajti deri në vitin 1996. Ai ka udhëhequr fushatën e socialistëve për të kundërshtuar referendumin për Kushtetutën, referendum të cilin socialistët e fituan.

Servet Pëllumbi lindi në Korçë dhe pas viteve ’90, ai ka kandiduar në këtë zonë elektorale. Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Petersburgut dhe është titulluar atje doktor i shkencave në Letërsi. Nga viti 1960–1963, zoti Pëllumbi ka qenë pedagog në Institutin Pedagogjik në Korçë dhe më pas e ka ushtruar këtë profesion deri më 1977.

Viti 1996 ishte një vit i zi për socialistët.  Ish-deputeti, Spartak Braho, në librin e tij “Masakroni Servet Pëllumbin”, ka treguar detaje nga ngjarjet e 1996-ës, kur dhuna ndaj opozitës nga SHIK-u, por dhe Policia e Shtetit nuk kurseu as sekretarin e përgjithshëm të PS-së në atë kohë, Servet Pëllumbin

Zoti Braho rrëfen një episod të marsit 1996, kur PS-ja e Durrësit organizonte një miting politik, por forcat e SHIK-ut dhe të Policisë, bënë të gjitha tentativat për ta penguar, duke rrezikuar madje dhe jetën e përfaqësuesve të lartë të PS-së, mes tyre Servet Pëllumbi, Sabit Brokaj, prof. Anastas Angjeli, prof. Et’hem Ruka, Ndre Legisi, Bardhyl Agasi etj.

Ndërsa vetë Servet Pëllumbi ka botuar librin “Përvoja ime në Partinë Socialiste- Ditar politik (1991-1996)”. Ai aty hedh dritë mbi kujtimet dhe debatet brenda Partisë Socialiste të kohës si dhe përplasjet PS-PD në ato vite. Bisedat me Nanon, përplasjet për Qeverinë e Stabilitetit, ‘marrëveshjen’ Nano-Berisha, letrat e Nanos nga burgu, situata në të cilën gjendej Partia Socialiste në atë kohë, përfshihen në një pjesë të këtij ditari politik. Më poshtë po botojmë pjesë nga librat.

Pjesë nga libri i Brahos 

Autokolona jonë kishte ndaluar te “Ura e Dajlanit” në pamundësi për të bërë përpara. Papritur, në radio buçiti një zë i fortë dhe me tërsëllëm urdhëroi “në asnjë mënyrë të mos bëhet mitingu, do përgjigjeni me kokë. Të mos futet në Durrës Servet Pëllumbi, masakroheni, po, po masakroheni”. Isha në një makinë me prof. Servetin. Ai e dëgjoi zërin në radio. “Ç’është ky mo Spartak, më pyeti”. Është Sali Berisha profesor, i thashë, kërkon kokën tënde”.

“Ç’do bëjmë profesor”, i thashë.

“Të ecim përpara”, tha me qetësinë e tij.

Urdhërova shoferin e makinës Viron Kristo që të kthehej me shpejtësi majtas drejt rrugës që të çonte drejt portit detar. Makinat e tjera na ndoqën pas. Devijimi ishte i papritur dhe i paparashikuar për ata që kishin vendosur të na masakronin. Ndoshta menduan se ne u kthyem mbrapsht përsëri për në Tiranë.

Të çliruar nga bllokimi ecëm me shpejtësi për t’u futur nga porti, në bulevardin kryesor që të çonte te Pallati i Sportit, ku prisnin mijëra simpatizantë. Arritëm në rrugën e Pallatit të Sportit. Zbritëm dhe ecëm në drejtim të tij të rrethuar nga turma e popullit që na priste me entuziazëm. Me kujdes, duke mbajtur profesorin pashë midis turmës edhe disa fytyra të dyshimta që ishin përzier dhe që synonin të futeshin brenda në sallën e Pallati të Sportit.

Ecnim me vështirësi dhe disa metra para hyrjes kryesore pashë dikë që nxori një thikë apo kaçavidë dhe po shtyhej në drejtimin e grupit kryesor. Ky është ai i masakrës, mendova. Dhe dikujt, nuk më kujtohet, i bëra me shenjë duke i thënë “mbërthejeni atë mut”, duke e treguar me gisht. Por, rreziku nuk kishte kaluar. Pikërisht, në hyrje të derës së Pallatit të Sportit, pjesa e sipërme e së cilës ishte veshur me xham, u zgjat një shufër e gjatë hekuri dhe goditi në drejtim të kokës së profesorit.

E pashë personin, ishte L. Dauti së bashku me vëllanë e tij. Xhami u thye në mes dhe një copë e madhe në formë trekëndëshi me majë poshtë mori drejtimin për të rënë mbi kokat tona, ku më pranë ishte profesori. E shtyva profesorin me forcë që ta kalonte edhe atë gjysmë metri të derës. Copa e rënë e xhamit ra me forcë mes trupave tanë, por profesori kishte shpëtuar. Një shoqërues i tij shtrëngonte dorën e gjakosur. Xhami kishte goditur atë.

U futëm në sallën e elektrizuar nga thirrjet e simpatizantëve socialistë që prisnin. Të sigurt që ia kishim hedhur SHIK-ut dhe Policisë së Sali Berishës, për të na prishur mitingun dhe për të na masakruar. Por mua në vesh për shumë kohë, më kumbonte një zë: “të masakrohet Servet Pëllumbi…”

P.S: Lidhur me këtë ngjarje, profesor Servet Pëllumbi kujton se ajo që nuk u realizua për të masakruar atë më 22 maj 1996 në Durrës, Sali Berisha e realizoi më 28 maj 1996 në mitingun e PS-së në “Sheshin Skënderbej” në Tiranë. Fotografia e gjakosur e tij së bashku me një gazetar spanjoll shëtiti kryefaqet e agjencive botërore.

Nga referendumi dhe dhuna e 1996, te pesha në PS dhe përplasjet me

Pjesë nga libri i Servet Pëllumbit

E diel, 8 dhjetor 1992

Nga ora 13:00-15:00 pata një bisedë kokë më kokë me F. Nanon, në të cilën shtrova tri shqetësime që më mundojnë prej kohësh, aq sa kam menduar edhe të jap dorëheqje nga posti që kam në Parti si zëvendës i Kryetarit. Në ditar, më datën 12 shtator kam shënuar këtë formulë: I pakënaqur nga puna ime në Kryesinë e PS-së dhe nga pamundësia për të bërë më tepër, i kërkoj asaj Kryesie të pranojë dorëheqjen time. Cilat janë tri shqetësimet e mia që i shtrova sot kryetarit?

1. Mungesa e një angazhimi serioz nga ana e tij në punën për drejtimin e Partisë. “Mungoni me ditë të tëra, në momentet më kritike ju ‘sëmureni’. Shkoni dhe rrini shpesh jashtë shtetit, pse nuk sëmureni në këtë rast? Mund të angazhoheshit, siç kemi biseduar për një program alternativ të reformës ekonomike (si ekonomist që jeni), por asgjë nuk keni bërë, asnjë trajtim me sens teorik që do të pasuronte programin e Partisë. Pa folur për atë që shkoni rrallë në rrethe. Në shumë prej tyre nuk keni shkuar asnjëherë. Shokët e bazës më kanë bërë shpesh vërejtje në adresën tuaj, por unë deri tani ju kam justifikuar”.

2. Problemi i qëndrimit ndaj veprimtarisë afariste të disa prej njerëzve tanë të ngarkuar nga ju (F. Kumbaro, L. Çuçi etj.). Kam mendimin se gjithçka duhet vënë mbi baza ligjore dhe të kontrollueshme për ta ruajtur Partinë nga veprime jo të pastra. Përvoja e PS-së bullgare.

3. Çështja e vajtjes suaj në SHBA më 29 nëntor deri më 5-6 dhjetor 1991, në ditët kur kishte nisur diskutimi për ekzistencën ose jo të Qeverisë së Stabilitetit. Mua më thatë se do të shkonit në Itali me kërkesën e Kraksit. Ju shkuat në Zvicër ku u takuat me H. B., që ju shoqëroi për në SHBA i “ftuar” nga lobi ballisto-legalisto-kosovaro-amerikan që mbështet Berishën. E mora vesh rastësisht nga Sabiti dhe Ylli Bufi kur ishim bashkë në Zvicër. Dua të di të vërtetën nga goja juaj si dhe arsyet pse e mbajte të fshehtë nga Partia një gjë kaq të rëndë.

Më dëgjoi me vëmendje e pa më ndërprerë, edhe pse u zbeh dhe turfullonte nga brenda. Pastaj tha:

– Po, është e vërtetë, për këtë kanë pasur dijeni Kastrioti, Ylli dhe Sabiti. Madje edhe Berisha me Rugovën!

Në atë kohë Kastrioti, Ylli dhe Sabiti nuk ishin në Kryesinë e PS-së. Fatosi u duk i revoltuar që për këtë më kishte folur Ylli Bufi, që sipas Fatosit ishte “mblesi”, ai që e kishte propozuar dhe koordinuar udhëtimin e Fatosit për në SHBA…

– Mendova, – vazhdoi ai, – se ti e kishe marrë vesh, unë vetë nuk ua thashë për konspiracion.

Ngriti tonin:– Unë luftova në strofkën e tyre. Më mbajtën mbyllur 72 orë, një terror i vërtetë psikologjik e fizik. Prova me raki, cigare, më dehën…

Nuk e bëri të qartë çfarë kërkonin, por la të kuptohej sikur donin ta rekrutonin për ta detyruar që t’i hapte rrugë S. Berishës. Madje “torturuesit” e tij qenkan shprehur: “Berisha një copë budalla është, por ja që atij i besojnë amerikanët!”.

Fatosi paska rezistuar “heroikisht”! Veçse, kur e pyeta, si befasisht, ç’detyrë e parullë të dhanë dhe sa herë të kanë “shqetësuar”, shtangu. Por u përgjigj. Mbase mendoi se unë tashmë dija çdo gjë.

– Parulla është Crosse the Brige.

Më kanë telefonuar në shtëpi dy herë, zakonisht pas mesnate. Telefonata e fundit më duket ishte pas 26 korrikut 1992! Por ka bërë edhe një takim me “shefin e ri” në Sarandë. Edhe takimi i Fatosit me Berishën dhe Rugovën muajin e kaluar, duket se ka qenë në po të njëjtën linjë. Djall o punë, çfarë mpleksje “demokratike”!

– A je i gatshëm, – i thashë, – që këto që më the mua t’i ripohosh edhe në prezencën e Gramozit dhe të Namikut?

– Po, e pranoj këtë variant.

Kështu u veprua. Gjithsesi, tani edhe unë i kam më të qarta disa situata me Fatosin dhe disa nga pikëpyetjet që më kanë lindur më parë. Njëherësh dhe për disa përshtypje që deri tani më habisnin për një lloj ndrojtjeje ndaj meje, të një respekti më tepër të shtirur se të sinqertë. Ndonjëherë, i kam shpjeguar me diferencën në moshë, por në të vërtetë nuk qenka kjo. Nuk di ç’të bëj më tej, por është fakt se diçka e madhe u thye pa kthim midis meje dhe Fatosit: Besimi reciprok…

E mërkurë, 6 tetor 1993

Misteret fillojnë të sqarohen. Në letrën tjetër të hapur për Presidentin Berisha që botohet sot, Nano vazhdon “kujtesat”, shoqëruar me ndonjë kërcënim të lehtë. Ju kujtoj, – shkruan ai, – simpoziumin e Triestes (shkurt 92), ku ne të dy ishim ftuar nga De Mikelis dhe ku në prani të prof. Çokut dhe të z. Meksi, Ju nuk kundërshtuat formulën e koalicionit me kusht, që Ju të ishit President. Pra, bëhet fjalë për një pazar-koalicion, pa pasur asnjë lloj mandati të Partisë, që nënkupton premtimin që i është bërë Nanos për ndarje të posteve: Berisha-President dhe Nano-Kryeministër.

Kjo ndodh dy muaj pas takimit sekret në SHBA dhe në zbatim të parullës lidhëse Cross the Bridge. Eh, ç’po na e fut Partinë e porsaformuar në veprimtari konspirative kulisash! Dhe i marrim vesh tani që ai është në burg, ndërsa ne jemi “politikisht të detyruar” ta trajtojmë si të burgosur politik të “Regjimit Berisha”. Por kujdes (!), se ai qenka i prirë për pazare e punë konspirative, që me sa duket i emërton me fjalën greke Catharsis. Të tillët mund ta përdorin partinë për interesat e tyre, por jo dhe ta duan atë! Ja dhe premtimi për të ardhmen që mbyll letrën: Ju rikonfirmoj z. President, angazhimin tim politik si lider i opozitës, për të mënjanuar ekstremizmin e aventurizmin… (gjynahe që i paskemi ne të tjerët në PS!). Jo më kot ka filluar të përsëritë, se është ai që e drejton dhe do ta drejtojë PS-në nga qelia e burgut! Mos me këto që po lexojmë do të vazhdojë të shitet shtrenjtë?! Mos për këtë nuk harron në letër as vërejtjet për “indiferencën kritike të Shtëpisë së Bardhë”! Të vështirë do ta kemi mbrojtjen e tij, veçanërisht mbrojtjen si obligim etik, por besoj se e kam forcën e nevojshme morale për t’i thënë kujtdo hapur (pra dhe Fatosit) mendimin tim, sepse është iluzion të pretendosh se mund ta drejtosh një parti demokratike e të hapur nga burgu në kushtet e sotme të sundimit të Berishës!

E mërkurë, 13 tetor 1993

Letra e hapur e Fatosit drejtuar Presidentit Berisha ka filluar të ngjallë shqetësime në parti. Anëtarët e Kryesisë S. Brokaj, M. Lakrori, E. Ruka, S. Poçi etj., pyetën në Kryesi nëse kishim ose jo dijeni për “marrëveshjen e koalicionet” për të cilën shkruan Nano. Zyrtarisht dhe me përgjegjësi iu përgjigja:

– Në atë kohë nuk dinim gjë. Të paktën unë personalisht ju siguroj për këtë! Opinione dhe shqetësime të niveleve të ndryshme të Partisë apo të intelektualëve të njohur më sollën edhe K. Krisafi, I. Gëdeshi, G. Zeneli, S. Duka etj. Duhet gjetur mënyra për ta trajtuar këtë çështje në takimet me njerëzit, duke mos ia ngarkuar përgjegjësinë Partisë në bllok.

Ja dhe fillimi i shfrytëzimit të pazareve të Fatosit. Sot gazeta e AD-së Aleanca rimerr temën e artikullit të P. Zogajt dhe R. Peshkëpisë (të dy deputetë). Titulli: Dëshmi e bujshme dhe dëshpëruese e Nanos! Marrëveshja e Triestes e 22-23 shkurtit 1992: Berisha-President dhe Nano-Kryeministër, ky është pazari, kjo është marrëveshja që tregon vetë Nanoja tani që është në burg. Dhe përfundimi vërtet i goditur: pazaret e prapaskenat me Berishën janë dramatike për ata që i bëjnë! Gjithsesi, në mbledhjen e Kryesisë që vazhdoi për dy ditë, më 13-14 tetor, nuk u ndalëm gjatë në këtë çështje. Kryesore kishim përcaktimin e masave dhe të komisioneve që do të trajtonin problemet që lindin nga dalja e shpejtë e F. Nanos para gjyqit të Berishës.

E enjte, 14 tetor 1993

Paradokset me këtë “lider” nuk paskan anë e fund! Sot pasdite, në Kuvend, Gramozi më sjell një letër nga Fatosi shoqëruar me shënimin: Për dijeni edhe Namikut dhe Gramozit. Ja disa pasazhe nga letra: Jam shumë mirë, por juve si forum, organikisht nuk po ju shoh mirë të orientuar në boshtin e luftës politike! Pikë e zezë! Edhe akuzat nga “Kryetari” na mungonin, se Berisha po i lëshon ato pa kursim mbi ne. Mos është edhe kjo aleancë apo premtim para gjyqit? Nuk ma pranon logjika, gjithsesi. Veçse, duke i quajtur spekulime të shtypit apo thashetheme keqdashëse marrëveshjet Berisha-Nano, Fatosi nëpërmjet kësaj letre e drejton pa mëshirë shpatën kundër shokëve të vet të Partisë. Duke apeluar te marrëdhëniet shoqërore e pa rezerva që kemi pasur në Kryesi, ai çdo koment (apo çdo dyshim) për ato që ka pohuar vetë për Triesten e quan turp dhe paaftësi politike, apo shprehje e panikut dhe e interesave të fëlliqura të të tjerëve, por jo të tijat!!!

Logjikë sofistike e papërgjegjshme! Ne që s’kemi bërë e nuk dimë gjë për pazarin e Triestes duhet të na vijë turp se paskemi interesa të pista, kurse Fatosi qenka krejt tjetër, se “Kryetarit” çdo gjë ju lejuaka! Pse, logjikë shoqërore është kjo, Fatos? Pse këtë kërkon momenti? Ndërkohë për të kaluar “pikën e nxehtë” Nano hidhet te porositë prej Zeusi: Ju rekomandoj t’i individualizoni dhe kuroni këto sëmundje të rrezikshme atje ku vegjetojnë! Dhe më tej: kujdes mos keni rezidentë të paguar për skema përçarëse, se do të përgjigjeni për shkatërrimin e Partisë! Mendjemadhësi e paparë dhe e padëgjuar. Papërgjegjshmëri e skajshme! Po ne për naivë na merr ai?! Jo, jo Fatos, nuk drejtohet kështu Partia nga burgu dhe as nuk mund të bashkëpunohet gjatë me një “Kryetar prepotent e mjeshtër kulisash” që të tjerët i merr për naivë dhe i kërcënon si në kohën e Partisë-shtet! Druaj se mua nuk më ke njohur fare gjatë dy vjetëve në drejtimin e PS-së, prandaj shkruan me një gjuhë të tillë të palogjikshme dhe arrogante. Edhe duke bërë zbritjet përkatëse, të arsyetuara me qenien tënde në burg, të them se kështu nuk do të arrijmë të punojmë gjatë së bashku. Me këtë rast, do të desha të të siguroja ty dhe kolegët e Kryesisë se unë nuk kam interesa të fëlliqura, prandaj dhe nuk bëj pazare të fëlliqura. Pikë për sot!

E shtunë, 16 tetor 1993

Disa anëtarë Kryesie kanë filluar “të flasin vesh më vesh” dhe t’i nxjerrin në Pazar ato që themi e vendosim në Kryesi, madje hiqen se janë për një linjë të fortë, pra pro Nanos dhe mendojnë se meqë ai është në burg padrejtësisht, ne të tjerët duhet të sakrifikojmë partinë e rendin kushtetues pa pritur gjyqin! B. Zeneli më thotë sot se ka anëtarë Kryesie që shprehen: Sa kohë të jetë S. Pëllumbi në krye s’ka mitingje! Kurse M. Lakrori, pa e pyetur, më foli me hollësi të habitshme për një bisedë të gjatë që kishte bërë me Xhinën, bashkëshorten e Fatosit, me kërkesën e saj. Pakënaqësitë e Fatosit për punën tonë, tani qenkan bërë edhe problem familjar… Po pse për këto po e bën ai “shkollën e burgut” që e lavdëron aq shumë?! Ne dhe atij na duhet uniteti dhe jo vënie e njërit kundër tjetrit në Kryesi dhe jashtë saj. Këtë kërkon “shkolla e burgut”, Fatos?! Apo mendon se mbrojtja më e mirë nga palaçollëqet e Triestes dhe Crosse the Bridge-it që i pohon në letrat e hapura drejtuar Berishës është sulmi ndaj nesh që të mbyllim gojën? Gabohesh, madje në formën më të rëndë!

E diel, 24 tetor 1993

Në gazetën Aleanca u botua sot letërkëmbimi midis F. Nanos dhe P. Zogajt në lidhje me marrëveshjen e Triestes. Fatosi “argumenton” se bëhet fjalë për marrëveshjen për Qeverinë e Stabilitetit dhe jo për ndonjë marrëveshje Berisha-Nano në prag të zgjedhjeve të 22 marsit 1992! Më tej Nano bën insinuata për ne, aludon sikur ne e “paskemi sajuar atë”. Preçit nuk mund t’i shpëtonte kjo, as dhe këshilla e Nanos që gjithë politikanët: “Të bëjnë shkollën e burgut”. Por Preçi mund të bjerë dakord me një kalim të topit te ne të tjerët që gjoja qenkemi përfshirë nga rivalitetet për të “lozur në kurriz të Kryetarit të burgosur”, veçse mua nuk më lejohet që të ngatërroj Marrëveshjen për Qeverinë e Stabilitetit që u bë në qershor 1991 me atë të Triestes që u bë më 22-23 shkurt 1992, pra një muaj para zgjedhjeve të 22 marsit 1992. Truku që përdor Fatosi ka vetëm një vlerë: i shton dyshimet tona për pazarin e Triestes dhe thellon njohjen tonë drejt politikës makiaveliste të Nanos, që me sa duket është edhe një nga shkaqet e burgosjes së tij…

E hënë, 8 nëntor 1993

Në letrën që na dërgoi sot nga burgu i Tiranës, Fatosi dukej i ndryshuar në qëndrimet e tij. Ndryshe nga letra e mëparshme në të cilën shkruante: Nuk ju shoh mirë në boshtin e luftës politike, në këtë letër na përshëndet e “udhëzon” me tonin e Kryetarit të përgjegjshëm: Duke ju përshëndetur me mall, nuk mund të mos ju përgëzoj për përballimin e goditjes së rëndë që morëm të gjithë me burgosjen time e të shokëve të tjerë dhe me masat represive që pasuan e vazhdojnë.

Krizën e fillimit, të pashmangshme, e kapërcyem dhe me pjekuri e profesionalizëm rifituam terren brenda dhe jashtë vendit. Sfida tashmë është në një fazë përfundimtare. Pasojnë porositë: Kërkohen veprime proteste masive, të larmishme, të njëkohshme të sindikatave, të studentëve, të pensionistëve, fshatarëve… Mbetet e paqartë për çfarë motivi mund të shpërthejë sot një lëvizje e tillë kaq masive, pas një viti të fitores së bujshme të PD-së e të Berishës, që si politikan me mbështetje të gjerë ndërkombëtare është ende në ngjitje. Për më tepër që burgosja e Fatosit vazhdon të propagandohet si burgosje e një vjedhësi të ndihmave të dërguara nga jashtë për shqiptarët? Nga sondazhet e bëra, as mitingu i 30 korrikut nuk përsëritet më. Ky është realiteti i çliruar nga euforia dhe rrahja e gjoksit nga disa prej tanëve nëpër kafene.

Letrën, edhe pse më adresohej mua, ua dhashë për ta lexuar të gjithë anëtarëve të Kryesisë. Veçse Fatosi ka idenë se vërtet mund ta drejtojë konkretisht e në mënyrë të përditshme PS-në nga burgu. Në një letër tjetër tri ditë më pas, e shkruar me makinë shkrimi, jep udhëzime për takimin që do të bëj unë me Papuliasin në Janinë. Letra mbyllet me kërkesën: Nëpërmjet linjës që merrni informacion e kontakte pune me mua, ju lutem më riktheni informacion dhe të bashkërendojmë çdo punë. Më lind pyetja: të ketë kaq mundësi e liri për të në “burgun e Berishës”, apo pa e kuptuar ka rënë në grackën e ndonjë “lirie false”? Do të gjej mënyrën për t’ia bërë të njohur Kryetarit këtë shqetësim…

servet pellumbi nano pellumbi

Lini një Përgjigje