
Kush janë 13 kandidatët që janë kualifikuar për fazën e parë dhe janë përzgjedhur për të kaluar në filtrin e Komisionit të ngritur nga SPAK....
SPAK ka publikuar emrat e 13 kandidatëve që garojnë për kreun e Byrosë Kombëtaret ë Hetimit. Në listën e kandidatëve përfshihen edhe dy ish-drejtorët e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe Gledis Nano, por edhe disa nga agjentët aktualë të BKH-së, që synojnë të marrin drejtimin e asaj që konsiderohet si FBI shqiptare.
Komisioni që do të përzgjedhë emrat fitues përbëhet nga 3 prokurorë të SPAK, ndërsa do të kryesohet nga Altin Dumani.
Momentalisht BKH drejtohet nga Aida Hajnaj, mandate i së cilës përfundon në 31 gusht. Hajnaj mori drejtimin e BKH-së, ndërsa më parë mbante funksionin e zv.Drejtores së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Mes kandidatëve është edhe Andi Pogaçe, një prej prokurorëve, emri i të cilit është lakuar për dekonspirimin e një informatori të policisë që çoi në zbulimin një grupi që trafikonte mina me telekomandë.
Është raportuar se Pogaçe, në atë kohë prokuror në Fier, ka arrestuar bashkëpunëtorin e policisë, H. B. duke urdhëruar arrestimin e tij, pas informacionit të saktë, me të cilin policia realizoi një operacion të suksesshëm për zbulimin e minave me telekomandë në Fier.
Ky bashkëpunëtor, kishte njoftuar “Personin e kontaktit” në sektorin e Anti- Krimit në Tiranë, se një grup personash, posedonin mina me telekomandë dhe i shisnin te grupet kriminale.
Artur Beu është një tjetër emër që garon për kreun e BKH-së. Beu garoi edhe para 5 vitesh bashkë me Aida Hajnaj për këtë funksion, ndërsa duket se do të provojë sërish fatin.
Elton Kërluku është një tjetër kandidat. Ish-shef i sektorit të Krimit Kibernetik në Ministrinë e Brendshme tashmë synon të marrë drejtimin e BKH-së, ndërsa konsiderohet si një nga ekspertët në çështjet e teknologjisë dhe financës kriminale.
Gentian Ndoi është një tjetër emër që nga rradhët e Policisë së Shtetit synon të drejtojë BKH-në. Ai ka drejtuar Njësinë “E” – Hetimi i Krimeve Ekonomiko-Financiare, në Drejtorinë Hetimore, në Departamentin e Policisë Kriminale.
Mauricio Sheldija është një tjetër emër, edhe ky nga rradhët e Policisë së Shtetit, që synon të drejtojë një nga strukturat më të rëndësishme të hetimit. Sheldija është pjesë e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore.
Marinela Pilinçi është një tjetër emër, që garon për kreun e BKH-së. Në 2022 ajo është emëruar si oficere e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Pogradecit.
Gjithashtu Nevruz Ndregjoni kandidon për kreun e BKH-së, ndërsa vjen nga fusha e policisë gjyqësore. Në vitin 2022 ndaj tij, Prokurori i Përgjithshëm kërkonte një masë disiplinore pasi kishte dyshime për zvarritje të proceseve.
Joni Keta është një tjetër kandidat. Ai aktualisht mban funksionin e zv.drejtuesit të BKH-së dhe është një ndër oficerët e parë që iu bashkua kësaj strukture. Karrierën e ka nisur në Prokurorinë për Krime të Rënda, ndërsa pas shkrirjes së saj, kaloi në SPAK dhe më pas në BKH.
Mentor Cuku rikthehet sërish në garë për drejtimin e BKH-së. Ai është ndër hetuesit e parë të kësaj strukture dhe vëllai i kryekomisarit Artan Cuku, i vrarë në një atentat mafioz në vitin 2017.
Njoftimi zyrtar nga SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njofton se, në kuadër të thirrjes së hapur për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), deri në afatin e vendosur nga Komisioni i Përzgjedhjes rezulton se kanë aplikuar 13 kandidatë, të renditur sipas rendit alfabetik:
Andi Pogaçe
Artur Beu
Astrit Halilaj
Elton Kërluku
Gentian Ndoi
Gentjan Shehaj
Gledis Nano
Haki Çako
Joni Keta
Maoricio Sheldija
Marinela Pilinçi
Miklovan Kanani
Nevrus Ndregjoni
Pas mbylljes së aplikimeve, procesi kalon në fazën e verifikimit paraprak, gjatë së cilës, Komisioni i Përzgjedhjes i ngritur me Urdhrin nr. 11794, datë 07.04.2025 të Drejtuesit të SPAK dhe në zbatim të Vendimit nr. 5, datë 22.05.2025, do të shqyrtojë dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët për të vlerësuar përmbushjen e kushteve ligjore dhe kritereve të përcaktuara në ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
Kandidatët që kalojnë fazën e verifikimit paraprak do të ftohen për të marrë pjesë në fazat pasardhëse të procesit.
Lini një Përgjigje