TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Janar 2026, 11:32

Moti i keq/ Vjosa del nga shtrati, urdhërohet evakuimi urgjent i banorëve në Novoselë

Shkruar nga Pamfleti

Niveli i ujit ka arritur në kuotën maksimale ndërkohë që ka përmbytur edhe toka bujqësore. Për shkak të rrezikut për banorët është lëshuar një urdhër për evakuim të menjëhershëm në Novoselë.

Moti i keq/ Vjosa del nga shtrati, urdhërohet evakuimi urgjent i
Vjosa del nga shtrati, nis evakuimi i banorëve në Novoselë, 8 Janar 2026

Moti i keq po vijon të shkaktojë situata problematike në Vlorë dhe në Fier, ku lumi Vjosa ka dalë nga shtrati dhe rrezikon Novoselën dhe fshatin Ferras në Fier. 

Për shkak të përmbytjeve dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve të Njësisë Administrative Novoselë, në Bashkinë Vlorë.

Situata mbetet e vështirë,  edhe për dy fshatrat Bishan dhe Fitore.Niveli pritet të rritet edhe më tej, pasi prurjet vijojnë.

Sipas një njoftimi zyrtar të Emergjencave civile, evakuimi po realizohet nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektit të Qarkut dhe strukturave lokale të emergjencave civile.Prioritet gjatë evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zona të izoluara. Transporti po sigurohet nga mjetet e Bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, si dhe Forcat e Armatosura.

Njoftim zyrtar:

Në zbatim të:

* Ligjit nr. 45/2019, “Për Mbrojtjen Civile”

* Planit Kombëtar të Emergjencave Civile

* Planeve Vendore të Emergjencave Civile,

si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të:

Bashkisë Vlorë

Njësisë Administrative Novoselë

Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me:

* Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC)

* Prefektin e Qarkut përkatës

* Strukturat e Emergjencave Civile në bashki

Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.

Në çdo rast, komunikimi dhe kërkesat për ndihmë duhet t’u drejtohen autoriteteve publike në terren.

Prioritet në procesin e evakuimit kanë:

* Fëmijët

* Të moshuarit

* Personat me aftësi të kufizuara

* Familjet në zona të izoluara

Transporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga:

* Mjetet e Bashkisë

* Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH)

* Forcat e Armatosura

MNAXHIMI I STREHIMIT TË TË EVAKUARVE

Menaxhimi i strehimit dhe asistencës për qytetarët e evakuuar do të realizohet nga Bashkia, në bashkëpunim me:

* Policinë e Shtetit

* Njësitë e kujdesit shëndetësor

* Strukturat e shërbimeve sociale, sipas nevojës

Në kuadër të këtij procesi do të sigurohet:

* Regjistrimi i të evakuuarve, në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm

* Administrimi i nevojave bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe ndihmën mjekësore

* Ofrimi i informacionit periodik për statusin e situatës dhe masat në vijim

Ky njoftim ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë.

Për çdo situatë emergjente, qytetarët të kontaktojnë numrin e emergjencave.

 

përmbytjet në vlorë

Lini një Përgjigje