TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Janar 2026, 11:11

Lumi Erzen del nga shtrati, përmbytje masive në Sukth dhe Katund i Ri; 2000 hektarë tokë 'nën pushtetin' e ujit

Shkruar nga Pamfleti

Gjatë orëve të fundit ka patur rritje të niveleve të lumenjve në disa qarqe të vendit, gjë që ka krijuar problematika serioze, kryesisht përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave, rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore dhe bllokime rrugësh.

Lumi Erzen del nga shtrati, përmbytje masive në Sukth dhe Katund i Ri;
Erzen del nga shtrati

Reshjet intensive të shiut dhe prurjet e larta kanë nxjerrë nga shtrati lumin Erzen, duke shkaktuar përmbytje të mëdha dhe dëme serioze në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri të Durrësit.

Situata është ndjekur që në orët e para të mëngjesit nga strukturat vendore, të cilat kanë qenë të angazhuara në terren për menaxhimin e emergjencës.

Në disa segmente, lumi ka kaluar mbi argjinaturë, ndërsa në pika të tjera është konstatuar çarja e saj, duke sjellë përmbytje të zonave të banuara dhe tokave bujqësore. Grupet e punës dhe mjetet e rënda po punojnë pa ndërprerje për riparimin dhe forcimin e argjinaturës, si dhe për garantimin e sigurisë së banorëve.

Situata më problematike paraqitet në njësinë administrative Katund i Ri, në fshatin Erzen, ku çarja e argjinaturës ka detyruar nisjen e evakuimit të banorëve nga zonat e përmbytura. Përmbytje raportohen edhe në fshatrat Katund i Ri, Katund Sukth dhe Fllakë, ndërsa rreth 500 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë.

Në njësinë administrative Sukth, përmbytjet kanë prekur një pjesë të qytetit, kryesisht zonat pranë lumit Erzen dhe lagjet 2, 3 dhe 4, duke krijuar vështirësi për banorët dhe qarkullimin rrugor. Dëme të konsiderueshme janë regjistruar edhe në bujqësi, ku rreth 2000 hektarë tokë janë përmbytur në zonat e Sukthit, Hamallajt, Rrushkullit, Perlatit, Kullës dhe Vadardhës.

Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallajt po punojnë me kapacitet maksimal për të përballuar flukset e ujit dhe për të ulur nivelin e përmbytjeve. Autoritetet bëjnë me dije se të gjitha strukturat do të vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri të plotë, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve.

Ndërkohë Mnistria e Mbrojtjes ka bërë një përditësim të situatës në vend për shkak të përmbytjeve nga moti i keq. Mësohet se si pasojë e reshjeve intensive, gjatë orëve të fundit ka patur rritje të niveleve të lumenjve në disa qarqe të vendit, gjë që ka krijuar problematika serioze, kryesisht përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave, rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore dhe bllokime rrugësh.

Situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër. Bëhet me dije se strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile janë angazhuar në terren për përballimin e emergjencës, evakuimin e banorëve, ku është e nevojshme dhe minimizimin e dëmeve.

 

erzen del nga shtrati

Lini një Përgjigje