TAGS-AT E JAVËS

LIVE UPDATES 8 Janar 2026, 08:06

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra; situata sipas qarqeve

Shkruar nga Pamfleti
5 MUAJ ME PARE

Lumi Erzen del nga shtrati, përmbytje masive në Sukth dhe Katund i Ri; 2000 hektarë tokë 'nën pushtetin' e ujit

Gjatë orëve të fundit ka patur rritje të niveleve të lumenjve në disa qarqe të vendit, gjë që ka krijuar problematika serioze, kryesisht përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave, rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore dhe bllokime rrugësh.

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;
Erzen del nga shtrati

Reshjet intensive të shiut dhe prurjet e larta kanë nxjerrë nga shtrati lumin Erzen, duke shkaktuar përmbytje të mëdha dhe dëme serioze në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri të Durrësit.

Situata është ndjekur që në orët e para të mëngjesit nga strukturat vendore, të cilat kanë qenë të angazhuara në terren për menaxhimin e emergjencës.

Në disa segmente, lumi ka kaluar mbi argjinaturë, ndërsa në pika të tjera është konstatuar çarja e saj, duke sjellë përmbytje të zonave të banuara dhe tokave bujqësore. Grupet e punës dhe mjetet e rënda po punojnë pa ndërprerje për riparimin dhe forcimin e argjinaturës, si dhe për garantimin e sigurisë së banorëve.

Situata më problematike paraqitet në njësinë administrative Katund i Ri, në fshatin Erzen, ku çarja e argjinaturës ka detyruar nisjen e evakuimit të banorëve nga zonat e përmbytura. Përmbytje raportohen edhe në fshatrat Katund i Ri, Katund Sukth dhe Fllakë, ndërsa rreth 500 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë.

Në njësinë administrative Sukth, përmbytjet kanë prekur një pjesë të qytetit, kryesisht zonat pranë lumit Erzen dhe lagjet 2, 3 dhe 4, duke krijuar vështirësi për banorët dhe qarkullimin rrugor. Dëme të konsiderueshme janë regjistruar edhe në bujqësi, ku rreth 2000 hektarë tokë janë përmbytur në zonat e Sukthit, Hamallajt, Rrushkullit, Perlatit, Kullës dhe Vadardhës.

Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallajt po punojnë me kapacitet maksimal për të përballuar flukset e ujit dhe për të ulur nivelin e përmbytjeve. Autoritetet bëjnë me dije se të gjitha strukturat do të vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri të plotë, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve.

Ndërkohë Mnistria e Mbrojtjes ka bërë një përditësim të situatës në vend për shkak të përmbytjeve nga moti i keq. Mësohet se si pasojë e reshjeve intensive, gjatë orëve të fundit ka patur rritje të niveleve të lumenjve në disa qarqe të vendit, gjë që ka krijuar problematika serioze, kryesisht përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave, rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore dhe bllokime rrugësh.

Situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër. Bëhet me dije se strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile janë angazhuar në terren për përballimin e emergjencës, evakuimin e banorëve, ku është e nevojshme dhe minimizimin e dëmeve.

 

5 MUAJ ME PARE

“Po më vdes plaku në ujë”/ Përmbyten fshatrat e Kurbinit dhe Krujës, banorët thirrje për ndihmë

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;
Pamje nga përmbytjet

Çarja e argjinaturës së lumit Droje ka përkeqësuar ndjeshëm situatën në fshatin Adriatik të Kurbinit, por edhe në dy fshatrat e Fushë Krujës, Dukagjin i Ri dhe Miliska.

Si pasojë, dhjetëra familje vijojnë të jenë të izoluara prej katër ditësh, ndërsa niveli i ujit po rritet nga ora në orë.

Banorët shprehen se po përballen me vështirësi të shumta, pasi mungon mundësia e lëvizjes, ndërkohë që situata po rëndohet edhe për shkak të mungesës së bazës ushqimore për bagëtitë.

Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.

“Jam 78-vjeç. Quhem Liza, kemi 2 ditë të izoluar. Dalin ata që janë për të dalë, ne jemi këtu. Kjo përmbytje s’kishte ndodhur kurrë më parë”, tha një grua e moshuar për “Report Tv”, banore e fshatit Adriatik.

“Te shtëpia ime është deri në mes me ujë. Kjo punë nuk është sot, por u bë 35 vite që është kështu gjendja. Ne e shtrojmë rrugën vetë... Situata është nga çarja e argjinaturës, inshallah bëhet një copë betoni aty”, tha një tjetër qytetar i fshatit Adriatik.

“Janë t’u na bo dëme me rob, jo me delet e me lopët. Mua po më vdes plaku aty. Është zhytur në ujë shtëpia ime. Kam 4-5 ditë në ujë. Lopë e dele leri këto, se ato kanë mbaruar komplet. Por kam edhe plakun sëmur”, u shpreh një tjetër qytetar i fshatit Adriatik të Kurbinit.

Ndërkohë, Bashkia Krujë bën të ditur se në dy fshatrat që janë prekur nga vërshimet, uji ka hyrë në rreth 50 banesa.

“Si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje ka vërshime uji në dy fshatrat: Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në fshatin Miliska uji ka hyrë në banesa, ku janë prekur 50 familje. Në terren ndodhen ekipe të Bordit të Kullimit Durrës, për përballimin e situatës”, thuhet në njoftimin e Bashkisë Krujë.

5 MUAJ ME PARE

Zbardhen zonat malore të qarkut të Elbasanit, disa akse kalohet vetëm me zinxhirë

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;

Edhe qarku i Elbasanit është përfshirë nga moti i keq ditën e sotme. Bëhet me dije se reshjet e dëborës kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në aksin Elbasan-Gjinar-Zavalinë dhe Elbasan-Tiranë (aksi rrugor i vjetër nga Krraba).

Rekomandohet që drejtuesit e automjeteve të përdorin goma dimërore ose zinxhirë teksa borëpastrueset ndodhen në terren.

bashkinë Gramsh raportohet se ka prurje të shumta nga lumi Devoll në Njësinë administrative Pishaj dhe lumi Kërpicë në Njësinë administrative Kushovë, ku rrezikohen tokat bujqësore dhe banesa.

Ne terren janë mjetet e bashkisë për disa problematika në rrugët e fshatrave si inerte apo bllokime te pjesshme dhe dëbore. Hidrocentrali i Moglicës ka filluar shkarkimet rreth orës 8:30, fillimisht me 50m3/sek dhe aktualisht me 100m3/sek.

bashkinë Cërrik rrezikohet stacioni elektrik pranë uzinës së naftës dhe punonjësit për shkak të prezencës së ujit.

Në njësinë administartive Gostimë dhe Mollas ka filluar përmbytja e tokave bujqësore.

bashkinë Peqin po punohet aktualisht për pastrimin e akseve rrugore që lidhin fshatrat me qendrën e njësisë nga rrëshqitja e dherave.

bashkinë Prrenjas uji është futur në bodrumin e dy banesave.

5 MUAJ ME PARE

Përmbytjet në vend, Ministria e Mbrojtjes reagim zyrtar: Qarqet ku pritet të ketë problematika orët në vijim

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;
Pamje nga përmbytjet

Reshjet intensive të orëve të fundit kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të niveleve të lumenjve në disa qarqe të vendit, duke sjellë përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave, rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore dhe bllokime të akseve rrugore.

Sipas përditësimit më të fundit nga Ministria e Mbrojtjes, situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqe të tjera situata mbetet nën monitorim ose pa rrezik të menjëhershëm.

Strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, janë angazhuar në terren për menaxhimin e emergjencës, evakuimin e banorëve dhe minimizimin e dëmeve.

Situata sipas qarqeve:

Shkodër

Në fshatin Obot, niveli i ujit ka arritur rreth 60 cm mbi rrugën kryesore, duke lejuar qarkullimin vetëm për mjete të tonazhit të lartë. Janë përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore, ndërsa 15 banesa në Vaun e Dejës janë të rrethuara nga uji. Në Malësinë e Madhe raportohen rrugë të bllokuara, ndërsa në Fushë-Arrëz janë evidentuar rrëshqitje dherash dhe rënie gurësh.

Lezhë

Rreth 3000 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë. Dy familje janë evakuuar, ndërsa rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji në njësitë Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll. Janë raportuar rrëshqitje dherash në Torovicë dhe Tresh, si dhe po punohet për riparimin e argjinaturës së lumit Droje në fshatin Dukagjin.

Vlorë

Niveli i lumit Vjosë në Novoselë ka kaluar mbi 8 metra. Janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në zonën e Novoselës, pa prezencë uji në banesa.

Durrës

Situata paraqitet në përmirësim, por vijon puna për largimin e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, kryesisht në zonën e ish-Kënetës, Shkozetit, Nishtullës dhe pranë burgut. 250 persona janë strehuar në Shtëpinë e Pushimit të Forcave të Armatosura, ndërsa 55 të tjerë në Kovalishencën e Ministrisë së Brendshme. Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si dhe kanali i Tones, ndodhen në kuota maksimale, ndërsa disa rrugë të qytetit mbeten të bllokuara.

Krujë

Si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje, janë regjistruar vërshime në fshatrat Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në këtë të fundit, uji ka hyrë në banesa, duke prekur rreth 50 familje.

Shijak

Prani uji në 15 banesa, kryesisht në njësitë administrative Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj.

Gjirokastër

Reshjet e dendura kanë shkaktuar rrëshqitje dherash në aksin Tepelenë–Gjirokastër, ku qarkullimi është i kufizuar. Raportohet gjithashtu për nivele të larta të Vjosës në Memaliaj dhe Përmet.

Kukës, Tiranë dhe Korçë

Lumenjtë ndodhen në kuota të larta, por pa rrezik të menjëhershëm. Në Korçë, disa rrugë në Devoll, Pogradec dhe Prrenjas janë të pakalueshme për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe bllokimeve.

Berat dhe Fier

Në Berat janë përmbytur rreth 95 hektarë tokë bujqësore dhe është shënuar rritje e nivelit të lumit Osum. Në Fier, rreth 200 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë dhe 27 banesa janë prekur nga përmbytjet.

Angazhimi në terren:

Janë angazhuar rreth 150 efektivë të Forcave të Armatosura, mbi 20 mjete të tonazhit të rëndë, 10 gomone shpëtimi dhe 15 pompa thithëse, kryesisht në qarqet më të prekura.

Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje banorëve të zonave të prekura të ndjekin udhëzimet e autoriteteve, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të raportojnë çdo situatë rreziku.

Situata vijon të monitorohet në mënyrë të pandërprerë, ndërsa strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë.

5 MUAJ ME PARE

Dalja e lumit Vjosë nga shtrati, 27 banesa në Fier nën pushtetin e ujit

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;
Banesat në Fier

Mëngjesin e sotëm 27 banesa në fshatin Ferras dhe sipërfaqe të tëra tokash bujqësore, ndodhen nën pushtetin e ujit nga dalja e shtratit të lumit Vjosë.

Banorët pohojnë se situata filloi të bëhej alarmante duke filluar që nga mbrëmja e djeshme ndërsa kanë mundur të nxjerrin në rrugë bagëtitë dhe mjetet bujqësore.

Sipas kryeplakut të fshatit, Zani Hyka, situata paraqitet e rënduar për momentin ku nga 27 banesat e përmbytura 15 janë të banueshme ndërsa është kërkuar evakuimi i një banori të sëmurë drejt banesave sociale të bashkisë Fier.

Ndërkohë, problem madhor mbetet kolektori i Martinës pasi ka arritur në kuotat maksimale dhe nëse del nga shtrati rrezikohen 160 familje.

Banorët që rrezikohen ndihen të alarmuar pasi një situatë të tillë nuk e kanë parë prej 6 vitesh. Ndërsa në terren, përveç strukturave të emergjencave civile kanë mbërritur edhe forcat e ushtrisë.

5 MUAJ ME PARE

Qytetet dhe fshatrat nën ujë, Rama-qytetarëve: Përdorni gomat dimërore në zonat me ngrica e dëborë

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;

Teksa shumë qytete dhe fshatra janë nën pushtetin e ujit dhe mijëra familje janë të izoluara, kryeministri Edi Rama ka dalë t'iu japë direktiva qytetarëve si të lëvizin.

Rama i ka kërkuar qytetarëve që gjatë këtyre ditëve të shmangin lëvizjet e panevojshme ose të përdorin goma dimërore për automjetet që qarkullojnë në zonat malore apo ku është njoftuar për prezencë dëbore dhe ngricash.

Më tej, duke marrë përsipër edhe rolin e kreut të Emergjencave, Rama ka treguar qytetet, fshatrat dhe rrugët më problematike të vendit të prekura nga moti i keq, ku veçon zonat e prekura nga dëbora.

"Gjatë natës, të gjitha njësitë operative në terren, ekipet e bashkive, Emergjencat Civile lokale, Forcat e Armatosura, ekipet mjekësore dhe Policia kanë qenë në gatishmëri

Situata në akset rrugore

Gjatë natës kanë vazhduar reshjet e shiut dhe ka filluar dëbora në të gjithë zonën veriore dhe juglindore të vendit

Reshje dëbore ka pasur:

Në Rajonin Verior

Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë, Bujan-Qafe Morinë (doganë),Sopot-Kerrnaj,Qafe Mejdan -Tropojë-Buçaj Bulqizë, Qafë Bualli-Peshkopi, Peshkopi-Maqellarë, Hani i Hotit-Dogana Vermosh, Kukes-Shishtavec, Kukës-Bushtricë, Bajram Curri-Valbonë, Pukë-Fushë Arrëz, Bogë-Theth dhe Qafë Mali-Fushë Dukagjin.

Në Rajonin Qendror

Surrel Qafë Priskë-Qafë Mollë, Elbasan-Gjinar, Ibë-Kërrabë-Elbasan.

Në Rajonin Jugor

Llogara, Qafë Thanë, Korçë-Voskopojë, Boboshticë-Dardhë, Korçë-Ersekë, Ersekë-Leskovikë.

Kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren pa ndërprerje 24/7 për të bërë pastrimin e akseve rrugore.

Shmangni lëvizjet jo të domosdoshme me automjetet tuaja.

Në këtë periudhë, zhvillimi i trafikut vetëm për udhëtime esenciale është i domosdoshëm për të garantuar sigurinë e të gjithëve dhe për të lehtësuar punën e ekipeve të mirëmbajtjes së rrugëve.

Përdorimi i gomave dimërore është i detyrueshëm për automjetet që qarkullojnë në zonat malore apo ku është njoftuar për prezencë dëbore dhe ngricash.", shkruan Rama.

5 MUAJ ME PARE

Bllokohet njëra korsi në aksin Pogradec-Qafë Thanë, inerte dhe ujë në rrugë

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;

Mëngjesi i kësaj të enjteje e ka gjetur juglindjen e vendit nën reshje dëbore, me intensitet nga i ulët në mesatar.

Reshjet janë të pranishme në të gjitha bashkitë e qarkut Korçë, ndërsa intensiteti më i lartë raportohet në Dardhë, Voskopojë, Ersekë dhe në Qafë Thanë.

Aktualisht, në Qafë Thanë po punohet me disa mjete borëpastruese për kriposjen e rrugëve, ndërsa e njëjta situatë po zhvillohet edhe në zonat e tjera të Korçës. Deri më tani nuk raportohen vështirësi në qarkullimin e mjeteve, pavarësisht se reshjet e dëborës vijojnë.

Në afërsi të zonës së quajtur Guri i Kuq, në qytetin e Pogradecit, për shkak të vërshimeve të përroit të Saselishtes, uji ka nxjerrë në rrugën kryesore aluvione si pasojë e gërryerjeve.

Për pasojë është bllokuar edhe njërin prej tubave shkarkues në liqen. Aktualisht, njëra prej korsive të mjeteve në aksin rrugor Pogradec–Qafë Thanë është e bllokuar si pasojë e inerteve dhe ujit që kanë dalë në rrugë.

Në vendngjarje ndodhen dy eskavatorë, të cilët po punojnë për normalizimin e situatës.

5 MUAJ ME PARE

72 orë nën ujë/ Lumi Ishëm del nga shtrati dhe përmbyt tokat bujqësore, izolohen 20 familje në Murqinë

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;
Lumi Ishëm del nga shtrati dhe përmbyt tokat bujqësore

Reshjet intensive të orëve të fundit kanë sjellë rritje të nivelit të lumit Ishëm.

Uji në arat e përmbytura prej rreth 72 orësh vijon të shtohet, duke përkeqësuar situatën në terren. Mijëra hektarë tokë bujqësore të mbjella ndodhen nën ujë në disa fshatra të ultësirës së rrethit Krujë, mes tyre Bilaj, Murqinë, Mallkuç, Miliskaj dhe Gramëz.

Gjendja vijon të rëndohet pasi niveli i ujit rritet nga ora në orë dhe kanalet kulluese nuk kryejnë funksionin e tyre, për shkak se nuk janë pastruar prej më shumë se tre dekadash.

Banorët shprehen se asnjë institucion nuk ka shkuar për të parë situatën nga afër. Rreth 20 familje kanë mbetur të izoluara, kryesisht në fshatin Murqinë, ku dy lagjet fundore janë plotësisht të rrethuara nga uji.

Rruga që lidh këto lagje me pjesën tjetër të zonës është e mbuluar nga mbi 50 cm ujë, ndërsa niveli i ujit vazhdon të rritet.

5 MUAJ ME PARE

Përmbytje në Qarkun e Beratit, 19 banesa dhe një shkollë nën ujë

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;
Përmbytje në Qarkun e Beratit

Moti i keq ka përfshirë edhe qarku i Beratit këtë të enjte.

Mësohet se në këtë bashki për shkak të prurjeve intensive ka dëmtim në një pjesë të argjinaturës në fshatin Velabisht, në skarpatin e rrugës afër urës së fshatit Bilçë.

Rreth 230 ha toka bujqësore ndodhen nën pushtetin e ujit

Në njëasinë administrative Velabisht dhe njësinë administrative Otllak, 4 banesa me prezencë uji, 1 kopsht fëmijësh dhe 1 qendër shëndetësore në Otllak, si dhe 7 stalla bagëtish, dhe 8 ha serrë.

Në bashkinë Dimal, ka përmbytje të 15 banesave në lagjet Dafina dhe Gur i Bardhë, përmbytje e shkollës Muhamer Janina. Tokat bujqësore në fshatin Çiflik gjithashtu janë nën pushtetin e ujit.

Deri më tani janë evakuar rreth 6 familje dhe po vijohet edhe me ndihmen e ushtrisë edhe në lagjen Dafinat për evakuim banorësh.

Në bashkinë Kuçovë ka dalje të lumit Devoll nga shtrati në fshatin Tapi ku ka përmbytur sipërfaqe toke bujqësore.

5 MUAJ ME PARE

Moti i keq në Lezhë, çahet argjinatura e lumit Drojë; banesa të izoluara dhe rrezik përmbytjesh në disa fshatra

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;
Moti i keq në Lezhë, çahet argjinatura e lumit Drojë

Reshjet e dendura të shiut kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën në të gjithë qarkun e Lezhës gjatë orëve të fundit.

Sipas të dhënave nga stacioni meteorologjik i Gjadrit, në 24 orët e fundit kanë rënë rreth 29 mm shi, duke sjellë probleme të shumta në disa bashki.

Situata më e rënduar paraqitet në Bashkinë e Kurbinit, ku rreth orës 06:00 të mëngjesit, një familje në zonën e Fushë-Mamurrasit, pranë hidrovorit të Drojës, kërkoi ndërhyrje urgjente pasi uji e kishte rrethuar plotësisht banesën. Shërbimet bashkiake ndërhynë për të ndihmuar familjen e izoluar, ndërkohë që problematika të ngjashme raportohen edhe në lagjen Sanxhak dhe në fshatin Gjorm. Në këto zona, rreth gjashtë banesa të tjera ndodhen nën rrethimin e ujit si pasojë e fryrjes së rrugës Laç-Mamurras.

Shqetësimi kryesor mbetet çarja e argjinaturës së lumit Drojë në krahun e Durrësit, e cila ka rritur ndjeshëm presionin mbi hidrovorët e Drojës dhe Shëllinzës. Si pasojë, niveli i ujit është rritur menjëherë në tokat bujqësore të zonës së Adriatikut dhe në fshatrat e njësisë administrative Fushë-Kuqe. Strukturat e DRUK-ut kanë kaluar në gatishmëri të plotë dhe po punojnë pa ndërprerje në kushte kritike për të shmangur përmbytje më të mëdha.

Në Bashkinë e Lezhës, ekipet e emergjencave civile dhe zjarrfikësit kanë qenë në terren gjatë gjithë natës, duke larguar ujin nga një banesë në Shëngjin dhe nga një palestër në qytet.

Autoritetet po monitorojnë nga afër edhe fshatrat Torovicë dhe Tresh, si dhe lagjen Shehër, ku janë evidentuar raste të rrëshqitjes së dherave pranë banesave. Ndryshe nga Kurbini dhe Lezha, në Bashkinë e Mirditës situata paraqitet më e qetë dhe deri tani nuk raportohen probleme serioze, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin në terren.

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;

5 MUAJ ME PARE

Dëbora zbardh edhe Dibrën, vështirësi në qarkullimin e mjeteve

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;
Dëbora në Dibër

Ditën e sotme dëbora ka nisur në të gjithë qarkun e Dibrës.

Mësohet se në zonat e thella malore, si Njësia Administrative Lurë, Kala e Dodës, Muhurr, Selishtë, Zall-Dardhë, Reç, Trebisht, Ostren, si edhe në zonën e Martaneshit, trashësia e dëborës ka kaluar 10 centimetra.

Si pasojë, kanë vijuar vështirësitë në qarkullimin e mjeteve, veçanërisht në rrugët që lidhin fshatrat e thella. Situata është rënduar edhe nga rrëshqitjet e dherave dhe shembjet e pjesshme të rrugëve në disa njësi administrative të qarkut.

Sipas informacionit të marrë pranë bashkive, strukturat vendore janë në terren dhe po punojnë për hapjen e rrugëve dhe normalizimin e situatës, me qëllim garantimin e lëvizjes dhe sigurisë së banorëve.

 

5 MUAJ ME PARE

Vjosa del nga shtrati, përmbytje në Fier dhe në Vlorë

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;
Vjosa del nga shtrati

Reshjet e dendura të shiut gjatë natës kanë përkeqësuar situatën në jug të vendit.

Moti i keq ka përfshirë Shqipërinë edhe këtë të enjte, duke sjellë rritje të ndjeshme të nivelit të lumenjve. Lumi Vjosë ka arritur nivelin 9 metra në urën e Mifolit, ndërsa në Memaliaj niveli i tij ka shkuar në 7.5 metra, me prurje të konsiderueshme.

Si pasojë e reshjeve intensive, janë përmbytur rreth 100 hektarë tokë, ndërsa 14 banesa janë përfshirë nga uji. Situata paraqitet problematike edhe në qarkun e Fierit, ku rreth 200 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur në zonat Kashisht, Adë, Kafaraj, Çerven dhe Ferras.

Prezencë e lartë e ujit raportohet në 27 banesa në zonën Ferras–Çerven, të cilat ndodhen brenda argjinaturës. Gjithashtu, ujë është futur edhe në Stacionin e Pompimit të Kafaraj, prej nga furnizohet qyteti i Fierit, si pasojë e prurjeve të larta të lumit Vjosë.

Të dhënat nga pikëmatja në urën e Memaliajt tregojnë se situata pritet të përkeqësohet në orët në vijim.

 

5 MUAJ ME PARE

Dëbora zbardh verilindjen, vështirësi me qarkullimin në disa akse rrugore

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;

Dëbora ka zbardhur edhe verilindjen ditën e sotme. Reshjet e borës nisën në orët e para të mëngjesit pas rënies së ndjeshme të temperaturave deri në minus 3 gradë Celsius.

Trashësia e dëborës varion nga 5 deri në 10 centimetra, që shoqërohet me erë duke krijuar shtresa akulli në rrugë. Rruga e Kombit po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm dhe po trajtohet me kripë në të gjithë gjatësinë e saj.

Aktualisht nuk ka probleme përsa i përket qarkullimit të mjeteve në Rrugën e Kombit nga Morina në Rrëshen.

Në rrugët nacionale që lidhin Kukësin me Hasin, Peshkopinë, Pukën, Shishtavecin etj., ka vështirësi për shkak të shtresave të akullit. Po punohet nga kompanitë sipërmarrëse për trajtimin e tyre me kripë. Probleme ka edhe në rrugët rurale në Kukës, Has e Tropojë.

Policia rrugore është në terren dhe po këshillon drejtuesit e mjeteve për kufizimin e shpejtësisë dhe kontrollin e pajisjeve dimërore të mjeteve. Sipas Komisionit të Emergjencave Civile, nuk ka probleme që paraqesin emergjenca.

I gjithë territori i qarkut furnizohet normalisht me energji elektrike, përjashtuar njësinë administrative Bicaj në bashkinë e Kukësit, për të cilën po punohet nga grupet e punës të OSHE për riparimin e defekteve.

5 MUAJ ME PARE

Moti i keq në Qarkun e Gjirokastrës, bllokohen rrugët; evakuohen disa familje

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;

Në Qarkun e Gjirokastrës reshjet e shiut kanë qenë me intensitet. Aksi nacional Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur Shkalla e Zezë vazhdon të jetë i kalueshëm me një sens dhe lëvizja e automjeteve menaxhohet nga efektivët e policisë.

Segmentet e tjera rrugore nacionale janë të kalueshme, por ka prani inertesh dhe uji në segmentet rrugore Gjirokastër-Kakavijë, Ura e Kardhiqit-Skërficë, Ura e Leklit-Këlcyrë.

Bashkinë Gjirokastër, rrugët e brendshme të qytetin ka akoma prani inertesh dhe në disa vende pranë banesave dhe rrugëkalimeve në lagjet Cfakë, Manalat, Dunavat dhe Granicë ka rrëshqitje dherash.

Në fshatin Labovë e Zhapës, Njësia Administrative Odrie ka rrëshqitje dherash pranë 2 banesave Problematika janë krijuar dhe në rrugët rurale që lidhin fshatrat Dhoksat- Qesarat-Këllëz; Mingul e Gjat, në Njësinë Administrative Lunxhëri; si dhe fshatrat Tërbuq, Labovë e Zhapës, Njësia Administrative Odrie.

Në lagjen Manalat, Gjirokastër është evakuuar një familje nga banesa që rrezikon nga rrëshqitjet e dheut dhe ku është sistemuar tek të afërmit. Në fshatin Labovë e Zhapës, Njësia Administrative Odrie, Gjirokastër është evakuuar një familje nga banesa që rrezikon nga rrëshqitjet e dheut ku është sistemuar tek të afërmit. Në Bashkinë Përmet, Njësia Administrative Piskovë, në fshatin Rapckë, ka rrëshqitje dherash pranë 2 banesave. Në Njësinë Administrative Frashër, rruga kryqëzimi i fshatit Kreshovë deri në fshatin Frashër ka rrëshqitje inertesh dhe bllokim në 3 vende.

Në lagjen ”Sede”, Përmet për shkak të reshjeve të dendura dhe inerteve u përmbyten 4 banesa, nga të cilat 3 familje u sistemuan nga Bashkia në një konvikt dhe 1 familje u sistemua te të afërmit.

Bashkinë Këlcyrë, në fshatin Malëshovë ka rrëshqitje dherash. Në Bashkinë Tepelenë, pati bllokim të rrugës për në fshatin Mezhgoran, Njësia Administrative Qëndër, por pas ndërhyrjes nga bashkia rruga është bërë e kalueshme. Problematika vazhdon të ketë në Njësitë Administrative të Qarkut në furnizimin me shkëputje me energji elektrike.

5 MUAJ ME PARE

Reshje bore edhe në Pogradec, trashësia arrin deri në 5 cm

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;

Nisin reshjet e dëborës prej orëve të para të mëngjesit në Pogradec. Sipas të dhënave, deri më tani në këtë zonë trashësia e dëborës i ka kaluar më shumë se 5 cm.

Mjetet borëpastruese janë në terren prej nisjes së saj për pastrimin e rrugës dhe hedhjes së kripës e skorjes.

Qarkullimi në kërë segment rrugor paraqitet pa probleme megjithatë apelohet që drejtuesit e mjeteve të jenë të pajisur me goma dimërore dhe të reduktojnë shpejtësinë e lëvizjes, në disa raste edhe manovrat e rrezikshme.

Gjatë natës, në këtë zonë temperaturat janë ulur deri në -6 gradë ndërsa edhe këtë mëngjes temperaturat vijojnë të jenë të ulta. 

Reshje dëbore ka në të gjitha zonat në lartësi mbi 1000 m nga niveli i detit.

5 MUAJ ME PARE

Vjosa arrin pranë pikës së kuqe, niveli i ujit shkon 9 metra

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;
Vjosa arrin pranë pikës së kuqe

Lumi Vjosa ka kaluar mbi 9 m, duke arritur pranë pikës së kuqe ku përmbyt toka dhe banesa.

Ndërkohë, 7.5 metër mbi nivelin e detit në Memaliaj, çka tregon që prurjet janë të shumta.

Lumi e ka mbuluar njësinë matëse hidrometër që ndodhet me 100 ha të mbytura. Ndërkohë 14 banesa janë prekur nga uji.

Si pasojë e prurjeve të lumit ka prezencë uji edhe në Stacionin e Pompimit te Kafaraj, Njesia Adm Frrakull, nga ku bëhet edhe furnizimi me ujë i qytetit të Fierit.

Reshjet intensive të shiut vijojnë që prej ditës së martë.

 

5 MUAJ ME PARE

Reshjet e borës përfshijnë Kukësin, disa zona të izoluara; dëme në infrastrukturë

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;
Reshjet e borës përfshijnë Kukësin

Pas 48 orësh reshje intensive shiu, territori i Kukësit është përfshirë nga reshjet e borës.Gjatë orëve të para të mëngjesit, qyteti i Kukësit është zgjuar i zbardhur, ndërsa temperaturat kanë zbritur nën 0 gradë Celsius.
Bora ka krijuar shtresën e parë në qytet, pa shkaktuar probleme serioze në qarkullim.

Reshjet e borës janë më të dendura në zonat e thella malore, si Valbona dhe Shishtaveci, ku trashësia e borës ka kaluar mbi 10 centimetra.
Ndërkohë, reshjet e mëparshme të shiut kanë sjellë vërshime ujërash dhe dalje të përrenjve e lumenjve nga shtrati, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën rrugore dhe duke izoluar qindra banorë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia Kukës, rrugë të bllokuara raportohen në njësitë administrative Zapod, Shishtavec, Topojan dhe Malzi. Janë konstatuar gjithashtu dëmtime në disa ura, përfshirë urën e fshatit Orgjost dhe urën në lagjen Drazh të njësisë administrative Bushtricë. Rrëshqitje masive dherash dhe inertesh janë evidentuar në disa zona.

Situata më kritike paraqitet në fshatin Malqenë, njësia administrative Ujmisht, ku rrëshqitja e shpatit rrezikon banesën e shtetasit Istref Hoxha. Po ashtu, pranë urës së Koloshit në njësinë administrative Zapod, ka ndodhur shkarja e një masivi të madh shkëmbinjsh dhe inertesh, ndërsa ekipet janë në terren dhe po punojnë për pastrimin dhe normalizimin e qarkullimit.

Në njësinë administrative Surroj, si pasojë e erërave të forta gjatë mbrëmjes së kaluar, është dëmtuar çatia e banesës së shtetasit Riza Lusha.

Autoritetet vendore bëjnë me dije se po monitorojnë situatën në terren dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me strukturat e emergjencave civile, ndërsa u bëjnë thirrje banorëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat e thella malore dhe në akset rrugore të prekura.

 

 

5 MUAJ ME PARE

Reshje shiu dhe stuhi dëbore, njihuni me parashikimin e motit për sot

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;

Ditën e enjte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura.

Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të vendit deri në orët e mesditës. Hera-herës reshje shiu në formën e shtrëngatave afatshkurtra në zonën e qendrës dhe jug. Pas orëve të mesditës reshjet e shiut mbeten prezente me intensitet të ulët deri në orët e pasdites në qendër dhe jug.

Në zonën e Alpeve reshje bore me intensitet mesatar deri të lartë, hera-herës stuhi bore, në verilindje-lindje në lartësitë mbi 100 metër dhe juglindje mbi 300-400 metër reshje dëbore me intensitet të ulët deri mestar.

Ndërsa në pjesën tjetër të vendit në lartësinë mbi 400-500 metra reshjet pritet të jenë në formën e dëborës me intensitet të ulët. Pas orëve të pasdites reshjet e shiut dhe dëborës ndërpriten në pjesën më të madhe të territorit.

Era do të fryjë me drejtim juglindje –jugperëndim me shpejtësi mesatare 9 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 18 m/s.

5 MUAJ ME PARE

Alarm përmbytjesh në Fier, uji “pushton” banesat; Vjosa në pikën kritike

Shqipëria nën ujë nga moti i keq, Vjosa arrin nivelin 9 metra;
Alarm përmbytjesh në Fier,

Situata paraqitet e rëndë me përmbytjet edhe në Fier, ku 27 banesa kanë prezencë të lartë të ujit, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që vijojnë prej disa ditësh.

Sipas të dhënave të fundit, në fshatrat Kashisht, Adë, Kafaraj, Cerven dhe Ferras janë nën ujë rreth 200 ha tokë bujqësore, brenda argjinaturave. Ndërkohë, nivelet e lumenjve Seman dhe Shkumbin janë në tendencë rritjeje.

Në rrezik për dalje nga shtrati është edhe lumi Vjosë, pasi niveli i prurjeve në Urën e Mifolit ka kaluar mbi pikat e matjes. Aktualisht uji ka arritur pikën kritike të nivelit në gjatësinë e argjinaturës (buzë më buzë).

Si pasojë e prurjeve të lumit Vjosë, ka prezencë uji edhe në Stacionin e Pompimit të Kafarajt, Njësia Administrative Frakull, nga ku bëhet edhe furnizimi me ujë i qytetit të Fierit.
Si masë paraprake janë stakuar disa nga pompat në puset që janë në afërsi të lumit Vjosë dhe po punohet me kapacitet më të reduktuar përmes disa puseve të tjera që ndodhen disi më larg. Kjo masë e marrë nga UKF ka reduktuar furnizimin me ujë të qytetit.

Të dhënat e marra nga pikëmatja në Urën e Memaliajt tregojnë për përkeqësim të situatës në orët në vazhdim.

 

shqipëria nën ujë nga moti i keq

Lini një Përgjigje