Pika e kalimit kufitar të Kakavijës do të funksionojë me kufizime gjatë dy ditëve në vijim për shkak të një proteste të paralajmëruar nga fermerët grekë.
Policia Kufitare Shqiptare ka marrë njoftim zyrtar nga autoritetet greke se aksi Kakavijë–Janinë do të bllokohet në zonën e udhëkryqit të fshatit Kallpaq.
Sipas njoftimit, bllokimi ka nisur sot në orën 12:00 me orën greke dhe do të zgjasë 48 orë. Gjatë kësaj kohe, qarkullimi i automjeteve drejt territorit të Greqisë do të jetë i pamundur, duke pezulluar plotësisht lëvizjen në këtë aks.
Fermerët protestues kanë paralajmëruar se do të lejojnë vetëm kalimin e mjeteve që transportojnë raste emergjente shëndetësore. Çdo automjet tjetër do të ndalohet deri në përfundim të afatit të shpallur të protestës.
Policia Kufitare e Kakavijës u bën thirrje qytetarëve që kanë planifikuar udhëtime drejt Greqisë të marrin masa paraprake dhe të rishikojnë planet e tyre, duke shmangur lëvizjet gjatë këtyre dy ditëve për të evituar radhët dhe bllokimet e gjata.
Autoritetet shqiptare vijojnë komunikimin me palën greke dhe do të informojnë publikun në rast se aksi do të zhbllokohet para afatit të njoftuar. Kjo është një nga protestat e përsëritura që fermerët grekë kanë zhvilluar kohët e fundit.
Lini një Përgjigje