TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Tetor 2025, 10:33

Ministrja belge takim me kreun e SPAK, mision në Tiranë për paratë e sekuestruara

Shkruar nga Pamfleti
Ministrja belge takim me kreun e SPAK, mision në Tiranë për
Takimi i zhvilluar në SPAK

Qeveria belge kërkon pjesën e saj nga paratë që SPAK u ka sekuestruar grupeve kriminale shqiptare për hetimet që kanë nisur nga Belgjika.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani ka zhvilluar një takim me Ministren e Drejtësisë së Belgjikës, Annelies Verlinden dhe Ministren e Azilit dhe Emigracionit të Mbretërisë së Belgjikës, Anneleen Van Bossuyt.

Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e suksesshëm dhe forcimin e tij mes SPAK dhe agjencive ligjzbatuese belge, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar.

Dumani theksoi rëndësinë e shkëmbimit të informacionit, koordinimit të operacioneve të përbashkëta dhe rritjes së efikasitetit në hetimin, si dhe ndjekjen penale të krimit të organizuar transnacional.

Ministrja Verlinden u shpreh se bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për të thyer modelin e biznesit të grupeve dhe organizatave kriminale.

“Ne mund t’i ndëshkojmë ata në mënyrë efektive vetëm duke gjurmuar paratë”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, dy ministret belge erdhën në Shqipëri për një mision diplomatik 3-ditor. Ky takim vjen pas kërkesës së Belgjikës për të pranuar kthimin e shtetasve të saj që aktualisht mbahen në burgjet belge.

Aktualisht, në burgjet e Belgjikës ndodhen 307 shtetas shqiptarë, prej të cilëve 253 nuk kanë të drejtë qëndrimi në vend.

Misioni do të përfshijë gjithashtu diskutime për një letër qëllimi në lidhje me ndarjen e pasurive, që do të lejonte që një pjesë e të ardhurave kriminale të sekuestruara në Shqipëri, si rezultat i hetimeve të udhëhequra nga Belgjika të kthehen në thesarin belg.

Një pjesë e madhe e sekuestrimeve që SPAK ka bërë ndaj grupeve kriminale, kanë ardhur pikërisht për shkak të hetimeve të nisura nga Belgjika. Mes tyre, ndër më të bujshmet kanë qenë sekuestrimet e pasurive të dy vëllezërve nga Fushë-Kruja, sekuestrimi i pasurive të Eridian Guerreros në Vlorë etj.

Bëhet fjalë për miliona euro të sekuestruara në formën e llogarive bankare, por edhe pasurive të patundshme, të cilat kanë rrjedhur nga veprimtaritë kriminale.

Lini një Përgjigje