Flitet se Klosi do të emërohet zv/ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Dorëhiqet kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Ceno Klosi. Mësohet se dorëheqja është dorëzuar gjatë paradites së sotme.
Ceno Klosi është emëruar në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve më datë 22.10.2021. Gjatë periudhës 2015-2021 ka mbajtur pozicionin si Drejtor i Departamentit Ekonomik pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).
Në qershor të vitit 2021 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Ujësjellës -Kanalizime dhe Mbetjeve të Ngurta (AKUM).
Gjatë kohës që drejtoi Tatimet ka pasur shumë akuza ndaj tij, ndërkohë që ka pasur dhe një padi në SPAK nga Partia Demokratike. Sipas informacioneve prokuroria ka nisur hetimet ndaj tij për shpërdorim detyre e korrupsion dhe më herët është folur dhe për një sekuestrim telefoni. Dyshimet janë se dorëheqja ka të bëjë pikërisht me këtë gjë.
“Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi””, njoftonte prokuroria më herët.
Sikurse rezulton nga të dhënat zyrtare të institucionit të akuzës, 7 muaj pas kallëzimit të parë, opozita ka depozituar një tjetër kallëzim ndaj Klosit. SPAK ka vendosur bashkimin e dy procedimeve në një të vetëm", theksohet më tej.
Po ashtu flitet se Klosi do të emërohet zv/ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Lini një Përgjigje