
Gazetari Lavdrim Lita ka ngritur alarmin për sigurinë nga zjarret në kryeqytet, pas ngjarjes së ndodhur një ditë më parë në zonën e “Farmacisë 10” në Tiranë.
I ftuar në "A2 CNN", ai deklaroi se qytetet shqiptare përballen me një rrezik të vazhdueshëm për shkak të mungesës së infrastrukturës së duhur për emergjencat.
“Ne jemi përballë një rreziku permanent në qytetet tona. Janë kthyer në kuti shkrepësesh dhe rrezikojmë të mbetemi brenda”, u shpreh Lita.
Ai vuri në dukje mospërputhjen mes zhvillimit të ndërtesave shumëkatëshe dhe kapaciteteve aktuale të shërbimit zjarrfikës.
“Nëse kemi pallate 20, 30, 40 apo 50 kate dhe zjarrfikëset i kemi deri në pesë kate, ku do shpëtojnë këta njerëz?” tha Lita.
Duke ironizuar mungesën e zgjidhjeve praktike, Lita shtoi se: “Nuk mund t’u blejmë të gjithëve parashuta që të fluturojnë nga katet e larta, bashkë me fëmijët dhe të moshuarit. Kjo është një situatë që kërkon zgjidhje reale, jo improvizime”.
Sipas tij, praktikat ndërkombëtare ofrojnë modele të qarta për menaxhimin e rrezikut nga zjarret.
“Bota i ka dhënë zgjidhje: parandalimin, sistemet e alarmit, përdorimin e dronëve dhe shumë asete të tjera që mund të instalohen në një pallat apo të menaxhohen nga bashkitë për të parandaluar apo trajtuar një zjarr", deklaroi Lita.
Lini një Përgjigje