
Ditën e djeshme një pallat pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë u përfshi nga flakët, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke lënduar disa efektivë zjarrfikës dhe qytetarë të cilët u asfiksuan.
Urbanisti Artan Kaçani shpjegoi pse në Tiranë ka raste të pallateve që marrin flakë. Ai tha se vetëm në dy vitet e fundit në Tiranë janë ndërtuar 2 milionë metra katrorë dhe se kontrolli për cilësinë është i dobët.
“Nga viti 2005 e deri më sot, sipas INSTAT, në Tiranë janë ndërtuar afërsisht 20 milionë metra katrorë. Vetëm në dy vitet e fundit në Tiranë janë ndërtuar 2 milionë metra katrorë dhe kjo do të ishte mbingarkesë për shumë qytete të Europës. Po ngarkojmë qytetet, ka një lloj përshpejtimi si qytetet në Azi në vitet ’80-’90. Nga ana tjetër, duhet të flasim edhe për përgjegjësitë institucionale. Fajet nuk janë private kur flasim për qytetin, por publike. Pse zjarret bien në Tiranë? Edhe Pazari i Ri mori flakë dhe ende nuk ka sqarim publik. Së pari, duhet të kuptojmë që në Tiranë nuk ka planifikim të peizazhit dhe të korridoreve të ajrosjes. Arkitekti italian është në hetim në Milano për shkelje të korridoreve të ajrosjes, duke krijuar gryka zjarri të forta, ku hyjnë korridoret e erës pa rrugëdalje”, sqaroi urbanisti në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” në A2CNN.
Sipas tij, nga ana tjetër kemi një sistem tejet të amortizuar të infrastrukturës, ku mungojnë korsitë e dedikuara për emergjencat.
“Ndërkohë, parkimet e pallateve në katet përdhese janë të mbyllura për qëllim shitjeje, ku ndërkohë janë planifikuar që të jenë hapësira boshe. Institucionet publike kanë lejuar privatin të bëjë shkelje të mëdha në kurriz të qytetarëve dhe tregut imobiliar. Ky është një ndër faktorët kryesorë, nuk kemi monitorim”, u shpreh Kaçani.
Lini një Përgjigje