
Avokati Kujtim Cakrani akuzoi KLGJ-në se nuk është në lartësinë që kërkon ligji dhe shtoi se nuk njeh as Kushtetutë dhe as Konventë Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Sipas tij, nëse KLGJ-ja do të ishte në lartësinë e duhur, nuk do t’i mbante të mbyllur në burg Ilir Metën dhe disa zyrtarë të tjerë. Ai theksoi se KLGJ-ja ka një qasje bolshevike ndaj personave të cilët hetohen e gjykohen.
“Ne kemi modelin italian. Dëshmitë në gjyq të politikanëve kanë qenë të xhiruara me kamera. Edhe zoti Meta i do me kamera seancat. KLGJ-ja jonë, po të ishte në lartësinë që e kërkon ligji, nuk i mbante të mbyllur te kafazi i qelqtë. KLGJ-ja jonë është një grup idiotësh, që nuk njohin as Kushtetutë dhe as Konventë Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Nëse është dikush që shkel ligjin në këtë republikë, është KLGJ-ja. Më thoni një rast në Europë që mbyllet Presidenti në bagazh, që mbyllet në dhomë e xhamit. As në rajon nuk gjen një rast të tillë. Vetëm KLGJ-ja jonë, me ligjin e saj të shëmtuar dhe të poshtër, se është ligj bolshevik. KLGJ-ja ka një qasje bolshevike ndaj personave të cilët hetohen e gjykohen. Jemi vend në Evropë që pretendojmë të hyjmë në BE dhe Konventa Evropiane e ka të ndaluar ta mbash në kafazin e qelqtë. Si mund të mbyllësh kreun e Bashkisë, Presidentin në kafaz? Fajin e ka KLGJ-ja. Unë kam bërë kërkesë dhe kreu i gjykatës nuk më ka kthyer përgjigje. Edhe KLGJ-ja s’më ka kthyer përgjigje. E dini pse? Sepse është shkelje e Kushtetutës të mbash tjetrin të mbyllur në kafaz dhe ta gjykosh. Është diskriminim dhe poshtërim”, tha Cakrani për "A2CNN".
Lini një Përgjigje