Gjykata vlerëson se i takon Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi, që të shmangë uljen e fshehur dhe ta përshtasë pagën e magjistratëve në raport të drejtë me rritjet e tjera dhe detyrën e funksionin, gjë e cila duhet të realizohet brenda datës 31.07.2026
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur sot vendimin e marrë pak muaj më parë lidhur me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, çështje që shkaktoi një debat të fortë në distancë mes Kryeministrit Edi Rama dhe shoqatave që iu drejtuan gjykatës.
Sipas një njoftimi të Kushtetueses, vendimi është marrë me një dakordësi 7 me 1, ndërsa i vetmi gjyqtar që ka votuar për rrëzimin e ankimit ishte Gent Ibrahimi.
Vendimi i arsyetuar i Kushtetueses i le dëtyra Kuvendit të Shqipërisë që të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që paga e magjistratëve të jetë në raport të drejtë me rritjet e tjera dhe detyrën e funksionin. Madje Kushtetuesja i le afat Kuvendit që kjo të realizohet brenda 31 korrikut 2026.
Sipas materialeve të shqyrtuara në seancë plenare publike, shumica e gjyqtarëve vlerëson se gjatë hartimit dhe miratimit të projektligjit janë respektuar procedurat dhe është siguruar përfshirja e aktorëve të sistemit të drejtësisë. Në argumentim theksohet se përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor kanë pasur mundësi të japin mendimet e tyre mbi draftin.
Në mënyrë të veçantë, në vendim evidentohet se Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka kundërshtuar draftin në thelb, por ka kërkuar respektimin e një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, konkretisht nr. 35/2022, lidhur me formulën e indeksimit të pagave.
Nga ana tjetër, përfaqësues të gjyqtarëve kanë pretenduar në seancë se nuk kanë qenë pjesë e grupeve të punës dhe nuk janë ftuar nga komisionet parlamentare. Megjithatë, sipas shumicës, këto pretendime nuk janë mbështetur me argumente konkrete apo prova që të dëshmojnë cenim real të procesit ligjvënës.

Gjykata arrin në përfundimin se procedura parlamentare nuk ka qenë joefektive, por përkundrazi ka garantuar pjesëmarrjen e grupeve të interesit përmes paraqitjes së mendimeve dhe opinioneve për projektligjin.
Në një mendim pakice, një nga gjyqtarët shpreh qëndrimin se ndërhyrja përmes interpretimit të normës ligjore mund të ketë ndikuar në diskrecionin e ligjvënësit, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e rregullimit të çështjes.
“Gjykata vlerëson se i takon Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi, që të shmangë uljen e fshehur dhe ta përshtasë pagën e magjistratëve në raport të drejtë me rritjet e tjera dhe detyrën e funksionin, gjë e cila duhet të realizohet brenda datës 31.07.2026.
Kuvendi mund të zgjedhë të përshtasë formulën e re në mënyrë që të riparojë uljen e fshehtë ose duke iu referuar ndryshimit që pësoi kategoria e nëpunësve civilë në të cilët referonte formula e vjetër ose ndryshimit që pësoi paga e Presidentit, ose çdo zgjidhjeje tjetër të krahasueshme me ndryshimet e kategoritë e mësipërme dhe brenda limiteve të tyre, gjithnjë në respektim të garancive të nenit 138 të Kushtetutës, duke mbajtur në vëmendje edhe faktin që inflacioni dhe situata ekonomike kanë efekt të njëjtë mbi të gjitha kategoritë e punonjësve, pavarësisht detyrës dhe funksionit që kryejnë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Nuk dihet nëse ky vendim, tashmë që Kushtetuesja edhe e ka argumentuar do të merret parasysh nga Kuvendi për t’u zbatuar. Por referuar deklaratave të mëparshme të Kryeministrit Edi Rama ngrihen pikëpyetje nëse do të zbatohet ose jo.

Në kulmin e debatit me gjyqtarët dhe prokurorët, Rama deklaronte se sa të ishte Kryeministër nuk do të kishte rritje të pagave të tyre, mbi ato të kategorive të tjera të administratës. Duke e konsideruar rritjen e pagave si një të drejtë legjitime të Qeverisë, Rama paralajmëronte se gjykatësit nuk mund të kenë një rritje pagash të përjetshme mbi të gjithë të tjerët, dhe gjykatësit nuk mund ta rrisin pagën e tyre me 2 mijë dhe 3 mijë euro në muaj, plus nga ajo që marrin, që është më e lartë sesa ç’marrin sot të gjithë të tjerët.
“Ka një piramidë pagash, e cila fillon me Presidentin e Republikës dhe zbret. Ndërkohë që, në mënyrën më të vetëdijshme pagat e gjyqtarëve, ne i rritëm mbi të gjithë. i rritëm mbi të gjithë për ato arsye që thashë, por nuk i vendosëm mbi të gjithë me idenë që sa herë do rriten këto, do rriten dhe këto dhe që Shqipëria do t’u bëka vendi i vetëm në planet ku mbi të gjithë, dhe të gjitha është kasta e gjykatësve. Kjo nuk mund të ndodhë dhe kjo nuk ka për të ndodhur. Të paktën jo me mua dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë si shumicë qeverisëse dhe jo në asnjë mënyrë, si një sfidë ndaj pushtetit gjyqësor, por si një thirrje, si një domosdoshmëri e brendshme e shtetit që të gjitha kategoritë e shërbëtorëve të tij, përfshirë dhe gjykatësit të kenë sensin e së drejtës dhe sensin e shtetit, duke mos kërkuar “qiqra në hell’ as më tepër pastaj, duke përdorur dhe gurin dhe arrën që gjykatësit kanë në dorë vetë.
Kjo është shumë e thjeshtë dhe kjo është dhe arsyeja pse unë nuk kam hyrë në asnjë polemikë, me asnjë person se nuk ka asgjë personale në këtë, ndërkohë që siç ndodhi, jam sulmuar personalisht dhe është sulmuar qeveria nga autorët e deklaratës së një shoqate të gjykatësve që jam i bindur që nuk janë konsultuar me të gjithë gjykatësit për tekstin se jam i sigurtë që do t’i thoshin ‘Ej, po çfarë po bëni, ne jemi këtu për të kërkuar diçka për veten tonë, por nuk jemi këtu për të bërë politikë dhe për të sulmuar qeverinë e kësaj republike si të ishim parti politike’, apo jo?”, deklaronte Rama.
Tashmë nuk dihet nëse Kryeministri Edi Rama do t’i përmbahet deklaratave publike, apo do të zbatojë vendimin e Kushtetueses? /Pamfleti/
Lini një Përgjigje