Në Samitin e Diasporës, Drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita thekson rolin e policisë në garantimin e sigurisë dhe përmirësimin e imazhit të Shqipërisë për turistët dhe vizitorët
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se siguria mbetet elementi kyç që ndikon drejtpërdrejt në zgjedhjen e Shqipërisë nga miliona turistë dhe vizitorë. Gjatë fjalës së tij në Samitin e Diasporës, në panelin mbi migracionin dhe politikat e riatdhesimit, ai e cilësoi sigurinë si “pasaportën” kryesore të vendit në raport me të huajt. Sipas tij, garantimi i rendit dhe sigurisë publike është një detyrim jo vetëm institucional, por edhe moral, veçanërisht në kushtet e rritjes së ndjeshme të flukseve turistike.
Hita bëri të ditur se Policia e Shtetit ndodhet në një fazë të re modernizimi dhe transformimi, me synim rritjen e profesionalizmit, transparencës dhe besueshmërisë ndaj qytetarëve.
Ai theksoi se ky transformim mbështetet në tre shtylla kryesore: investimet në teknologji, forcimi i burimeve njerëzore dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë.
Në këtë kuadër, është rritur edhe roli i policimit në komunitet, duke synuar afrimin me qytetarët dhe adresimin më të ndjeshëm të nevojave të tyre.
Drejtori i Policisë nënvizoi se institucioni që ai drejton është ndër kontaktet e para për çdo person që hyn në Shqipëri, çka e bën të rëndësishëm imazhin dhe shërbimin në pikat kufitare.
Sipas tij, janë ndërmarrë masa konkrete për: përmirësimin e kushteve në pikat e kalimit kufitar, pajisjen me teknologji bashkëkohore dhe trajnimin e vazhdueshëm të punonjësve.

Gjithashtu, gjatë sezonit turistik është rritur prezenca policore në zonat bregdetare dhe turistike për të garantuar një eksperiencë të sigurt për vizitorët.
Në fjalën e tij, Hita u ndal edhe te sfidat që lidhen me migracionin e paligjshëm. Ai theksoi angazhimin e Policisë Kufitare në parandalimin e flukseve migratore, kryesisht nga Greqia drejt Shqipërisë me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas tij, janë goditur rrjetet e kontrabandimit të emigrantëve, janë identifikuar dhe ndëshkuar organizatorë dhe transportues, si dhe është forcuar bashkëpunimi ndërkombëtar për parandalimin e trafikut të paligjshëm.
Një rast i suksesshëm bashkëpunimi u përmend ai me Mbretërinë e Bashkuar, ku sipas Hitës është ulur ndjeshëm numri i personave që tentojnë të hyjnë ilegalisht ose të përdorin Shqipërinë si vend tranzit.

Duke iu referuar situatës së sigurisë, Hita deklaroi se nuk është regjistruar asnjë ngjarje e rëndë kriminale ndaj turistëve. Përkundrazi, janë evidentuar qindra raste ku policia dhe qytetarët kanë ofruar ndihmë për vizitorët në nevojë.
Ai vlerësoi edhe rolin e komuniteteve lokale, duke e konsideruar ndihmën ndaj turistëve si një tregues të mikpritjes dhe vlerave të shoqërisë shqiptare.
Lini një Përgjigje