
Procedura për përzgjedhjen e drejtuesit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit është drejt përmbylljes.
Kjo u bë e ditur nga Prokurori i Posaçëm, Adnan Xholi, gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, ku dha një pasqyrë të plotë mbi hapat e ndjekur dhe transparencën e ndjekur në çdo fazë të procesit.
“Në muajin prill 2025 është ngritur komisioni i përzgjedhjes dhe është miratuar rregullorja për procedurat. Drejtori i atëhershëm i BKH-së u ftua të shprehte interes për riemërim, por nuk e bëri. Më 22 maj u hap thirrja publike dhe aplikuan 13 kandidatë, prej të cilëve janë kualifikuar shtatë. Procesi ka ecur me ritme të shpejta dhe me profesionalizëm të lartë, nën monitorimin e partnerëve ndërkombëtarë nga SHBA dhe BE”, deklaroi Xholi.
Ai sqaroi gjithashtu se janë zhvilluar testimet fizike, testet me shkrim, arsyetimi ligjor me gojë dhe testi i poligrafit, të gjitha në prani të ekspertëve ndërkombëtarë.
“Në 15 gusht dosjet u dërguan për verifikim të pasurisë dhe figurës. Vetëm një kandidat është skualifikuar dhe ka ngritur padi në gjykatë. Institucioni ka funksionuar pa pengesa, sepse zëvendësdrejtori ka ushtruar detyrat në përputhje me ligjin”, tha më tej Xholi.
Ndërkohë, për të njëjtën temë, Kreu i SPAK, Altin Dumani, theksoi nevojën për rishikim të kuadrit ligjor për të shmangur vakanca të papritura në drejtimin e BKH-së.
“Ligji e ka të përcaktuar qartë që në mungesë të drejtorit, funksionet i kryen zëvendësdrejtori. Pra nuk krijohet boshllëk institucional. Megjithatë, do të ishte e nevojshme të ndërhyhet në ligj për të përcaktuar më qartë se kur duhet të nisë procesi i përzgjedhjes, për të shmangur situata si kjo... Kjo është hera e parë që zhvillohet ky proces dhe besoj se kemi ndjekur çdo hap me korrektësi dhe standard të lartë. Institucioni i BKH-së funksionon normalisht dhe nuk ka pasur asnjë problem në zbatimin e detyrave”, përfundoi Dumani.
Lini një Përgjigje