
Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka deklaruar sot në Kuvend se hetimet për projektin “Eco Park Durrës”, me një vlerë prej rreth 19 milionë euro, janë drejt përfundimit.
Megjithatë, pyetja që mbetet pezull është nëse do të hetohet edhe kryeministri Edi Rama, pas akuzave për konflikt interesi që lidhen me studion arkitektonike të Rea Ramës, vajzës së bashkëshortes së tij.
Gjatë raportimit vjetor në Komisionin e Ligjeve, Dumani sqaroi se çështja është regjistruar si procedim penal nga vetë SPAK, përpara se të mbërrinte kallëzimi i opozitës. “Procedimi penal për ‘Eco Parkun’ është në fazën e hetimit paraprak. Nga informacioni që kam, hetimet janë drejt përfundimit,” tha Dumani, duke shtuar se kallëzimi i mëvonshëm i opozitës është përfshirë në dosjen ekzistuese.
Deklarata e tij erdhi pas pyetjeve të drejtpërdrejta nga deputetët e opozitës, të cilët kërkuan sqarime mbi një prej projekteve më të përfolura për favorizim dhe lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin. Sipas tyre, fondet publike janë devijuar për t’u përqendruar tek një kompani e lidhur familjarisht me kreun e qeverisë, gjë që përbën një shkelje flagrante të ligjit për konfliktin e interesit.
Lini një Përgjigje