
Kryeprokurori Altin Dumani, ka folur lidhur me Komisionin Parlamentar ku është përfolur se do të monitorojë edhe SPAK.
I pyetur se si i gjykon këto përpjekje dhe cili është reagimi i tij, Dumani e ka mohuar duke thënë se kjo nuk do të ndodhë dhe është në kuadrin e thashemethemeve. Ai shton se nuk ka parë asnjë dokument, teksa shprehet se Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion është institucioni më i kontrolluar në vend.
Dumani thekson se është e paimagjinueshme të bësh ndryshime në reformën në drejtësi kur reforma vazhdon ende.
“Pavarësisht se çfarë flitet dhe thuhet, ne realisht nuk kemi ende një dokument që të lexojmë dhe të shikojmë se cila do të jetë qasja lidhur me reformën në drejtësi. Këtu për të bërë ndryshime e për të ngritur komisione, por përsa kohë nuk ka një dokument, nuk kam një qëndrim. Nëse do të ndodhë, patjetër do të kemi reagim institucional. Për mendimin tim, është e paimagjinueshme të bësh ndryshime në reformën në drejtësi kur reforma vazhdon ende.
Vetting-u s’ka mbaruar ende. KLGJ, KLP janë ende të pakonsoliduar. SPAK ka nevojë dhe për dy prokurorë. Para se të shkosh atje, duhet bërë një analizë. Por, kjo është në kuadrin e thashethemeve, sepse s’kam parë ende dokument. Ndaj s’kam qëndrim.
SPAK është institucioni më i kontrolluar në republikë, më i kontrolluari. Në aspektin procedurial, kontrollohemi nga tre shkallë, mos harrojmë gjyqtarin paraprak, çdo gjë bëhet me vendim gjykate. Ne raportojmë në Komisionin e Ligjeve atje, ka diskutime e debate. Kjo është marrëdhënia me parlamentin. KLP e raportojmë atje. ILDKPI kontroll pasuritë”, tha Dumani gjatë një takimi për nismën e re të dialogut mes institucioneve dhe aktorëve të politikëbërjes.
Lini një Përgjigje