
Në fillim të këtij muaji, blegtorët e fermave të vogla në Lushnjë, Fier dhe Korçë janë lajmëruar për një rënie tjetër të çmimit të qumështit të lopës dhe të deles, që u grumbullohet nga fabrikat e përpunimit.
Në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe ish-Sekretari i Ministrisë së Bujqësisë, Vojo Bregu, i cili sjell në vëmendje takimin që ministrja Denaj bëri me blegtorët më 9 Prill, kur "u kërkoi atyre që t'i jepnin kohë përpunuesve për përgatitjen e kontratave dhe për një "respekt financiar" mes palëve".
Kjo nuk ndodhi, dhe sipas Bregut ka dy muaj që "përpunuesit nuk po u japin blegtorëve lekët e djersës së tyre dhe se çmimi do ulet më 15-20 % në muajt në vazhdim".
“E vetmja mënyrë që as qeveria, as përpunuesit të mos guxojnë të tallen me ta, është të marrin traktorët, ti mbushin me bajga dhe naftë vetëm për vajtje në Tiranë, ti hedhin bajgat aty ku i takojnë, dhe ti fikin traktorët po aty, para kryeministrisë dmth”, thotë ai.
"Para 2 muajsh blegtorët bënë një paradë me traktora në autostradën Tiranë Lushnjë, duke protestuar për çmimin që blihej qumështi nga prodhuesit. Blegtorët i premtuan Taulant Ballës që nuk do të bënin protestë por thjesht një paradë, pasi ky i fundit do të nderhynte tek ministria e Bujqësisë për rritjen e çmimit të qumështit. Znj. Denaj bëri një takim me blegtorët dhe përpunuesit e qumështit. Deklarata e ministres pas takimit në datë 9 Prill, ishte se për 2 muaj duhet ti jepnin kohë përpunuesve të qumështit për përgatitjen e kontratave dhe për një "respekt financiar" mes palëve.
Çfarë ndodhi për 2 muaj?
Ka 2 muaj që përpunuesit e qumështit në shumicë e tyre, po marrin qumështin dhe duke i "respektuar" blegtorët nuk po i japin lekët e djersës së tyre. Por nga informacionet "respekti financiar" do vazhdojë më tej, duke ulur për muajt në vazhdim me 15-20% çmimin e blerjes së qumështit.
Ky është respekt, jo shaka.
E kam thënë para 2 muajsh. E vetmja mënyrë që as qeveria, as përpunuesit të mos guxojnë të tallen me ta, është të marrin traktorët, ti mbushin me bajga dhe naftë vetëm për vajtje në Tiranë, ti hedhin bajgat aty ku i takojnë, dhe ti fikin traktorët po aty, para kryeministrisë dmth. Atëherë do të shikojnë që do respektohen vërtet.
P.S. këto fjalitë e fundit i shkruajta kot se e di që nuk ndodh. I krahasova blegtorët tanë me ata francezë për shpirtin e protestës."-shkruan Bregu.
Lini një Përgjigje