TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Maj 2026, 21:31

Krimi i organizuar dhe financat e tij në shënjestër, Londra mesazh të prerë Ramës

Shkruar nga Pamfleti
Krimi i organizuar dhe financat e tij në shënjestër, Londra
Edi Rama

Takimi në Londër thekson luftën ndaj krimit të rëndë, financave të paligjshme dhe migracionit të parregullt…

Mbretëria e Bashkuar i ka përcjellë një mesazh të prerë Tiranës zyrtare në raport me krimin e organizuar dhe financat e tij. Londra kërkon tolerancë zero, ndërsa strukturat ligjzbatuese të dy vendeve, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, angazhohen për të luftuar krimin e organizuar dhe të rëndë, financat e paligjshme, migracionin e parregullt dhe të shtohen masat sa i takon sigurisë kufitare. Kjo do të thotë se për Qeverinë britanike vijon të mbetet shqetësim emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, por jo vetëm.

Përmes një deklarate të publikuar sot në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar bëhet e ditur se dy shtetet vijojnë dialogun, në kuadër të partneritetit strategjik, i dakordësuar që prej 15 majit 2025, gjatë vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Londër.

Në dialogun Mbretëri e Bashkuar-Shqipëri, referuar deklaratës së Ministrisë së Brendshme britanike, thuhet se palët konfirmuan marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy vendeve dhe ranë dakord për zbatimin e angazhimeve konkrete në fushat prioritare.

Të dyja vendet vlerësuan bashkëpunimin efektiv mes agjencive të zbatimit të ligjit dhe sistemit të drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar. Palët riafirmuan angazhimin për identifikimin, goditjen dhe ndjekjen penale të grupeve kriminale të lidhura me të dy vendet, si dhe për luftën kundër flukseve financiare të paligjshme që i mbështesin këto aktivitete.

Dialogu parashikon thellimin e bashkëpunimit përmes angazhimit më të gjerë institucional dhe forcimit të veprimeve të përbashkëta, përfshirë rritjen e kapaciteteve për mbledhjen e provave digjitale në luftën kundër kriminalitetit, përfshirë krimin kibernetik.

Palët u angazhuan për rritjen e shkëmbimit të informacionit mbi çështjet penale dhe për forcimin e kapaciteteve forenzike në Shqipëri, përfshirë rastet me lidhje me Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu, riafirmuan përkushtimin për goditjen e grupeve kriminale në nivelet më të larta, në përputhje me angazhimet e Procesit të Berlinit.

Palët e konsideruan financën e paligjshme si faktor kyç që mundëson krimin e organizuar dhe cenon integritetin institucional dhe besimin publik. Dialogu theksoi nevojën për forcimin e rezistencës institucionale në Shqipëri për të parandaluar abuzimin me sistemin financiar.

Mbretëria e Bashkuar konfirmoi mbështetjen për Shqipërinë në forcimin e integritetit, luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme të drejtësisë. Bashkëpunimi do të fokusohet në përmirësimin e rikuperimit të pasurive përmes zhvillimit të Zyrës së Rikuperimit të Aseteve, forcimin e kapaciteteve hetimore dhe policore në nivel vendor, si dhe rritjen e cilësisë së ndërtimit të çështjeve dhe rezultateve operative.

Të dy qeveritë e konsideruan Samitin për Financat e Paligjshme 2026 si moment të rëndësishëm për rritjen e transparencës dhe bashkëpunimit. Shqipëria u angazhua të zbatojë tre masa konkrete në përputhje me strategjinë kombëtare kundër krimit të organizuar.

Dialogu vlerësoi bashkëpunimin ekzistues në fushën e sigurisë kufitare dhe migracionit, përfshirë Task-Forcën e Përbashkët Rajonale për Migracionin. Palët theksuan rëndësinë e parandalimit të rrugëve të migracionit të parregullt që shfrytëzohen nga grupet kriminale.

Në këtë kuadër, u nënvizua nevoja për reduktimin e migracionit të paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar për aktivitete të paligjshme. Palët ranë dakord të përmirësojnë shkëmbimin e të dhënave dhe analizën e rrezikut, si dhe të zhvillojnë zgjidhje të qëndrueshme në Shqipëri për adresimin e faktorëve që nxisin këtë fenomen.

Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në këto fusha pasqyron thellësinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe synimin e përbashkët për të goditur krimin e organizuar dhe për të çmontuar rrjetet kriminale që dëmtojnë qytetarët.

Të dy vendet u angazhuan të monitorojnë progresin e këtyre masave deri në zhvillimin e Dialogut të ardhshëm për Punët e Brendshme, i cili do të mbahet në Shqipëri në vitin 2027”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme britanike.



londra rama krimi i organizuar pastrim parash

Lini një Përgjigje