TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Janar 2026, 20:16

Hetimet për abuzimet me rrugët, SPAK kontrolle te “Salillari”

Shkruar nga Pamfleti
Hetimet për abuzimet me rrugët, SPAK kontrolle te
Pëllumb Salillari

Hetuesit e SPAK kanë ushtruar kontrolle në kompaninë Salillari.

SPAK ka intensifikuar kontrollet në kuadër të hetimeve për abuzime me tenderët e ndërtimit të rrugëve. Hetuesit kanë ushtruar kontrolle në kompaninë “Salillari”, në pronësi të biznesmenit Pëllumb Salillari.Kontrollet janë shtrirë edhe në kompaninë “Senka”, me seli në Lushnje, në pronësi të Ylli dhe Donika Senkës.

Sipas të dhënave hetimore, Pëllumb Salillari dyshohet se ka përfituar tenderë rrugësh përmes ndërhyrjeve korruptive, duke ofruar pagesa deri në 20 për qind të vlerës së kontratave, si edhe asete dhe favore të tjera të paligjshme.

Në këtë skemë, Salillari dyshohet se ka siguruar edhe kontratën publike të referuar në njoftimin e SPAK, “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja–Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”, me vlerë rreth 23 milionë euro.

Në 8 qershor 2019, ish-kreu i ARRSH-së, Ergys Verdho shpalli fitues kompaninë Salillari të ish faturinos Pëllumb Salillari për tenderin ‘Rehabilitim i segmentit rrugor mbikalimi pallati me shigjeta, rrethrrotullimi Shqiponja Loti 1’.

Fondi limit ishte 22 milionë euro, ndërsa oferta fituese 21 milionë euro. Tenderi është anulluar një herë. Janë skualifikuar të gjithë operatorët në këtë garë përveç fituesit. Janë nxjerrë jashtë loje oferta më të ulëta, me pretendimin se firmat pjesëmarrëse po zbatoni kontrata në proces.

“Pamfleti” ka denoncuar me fakte batërditë që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit ndërtuesi Salillari.

Një prej tyre është vjedhja e realizuar në bashkëpunim mes drejtuesve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, kompanisë “Salillari Sh.p.k” të Pëllumb Salillarit dhe kompanisë “Gener 2 Sh.p.k” të Bashkim Ulajt.

Fakti është ky: më 8 janar 2021, vetëm 5 muaj pas ndërtimit dhe marrjes në dorëzim, rruga e Borshit u ça, rrëshqiti dhe doli jashtë funksionit, megjithëse kishte një vlerë investimi prej 14.5 miliardë lekësh dhe ishte ndërtuar me kontratë mirëmbajtjeje nga kompania “Salillari Sh.p.k”.

Ndërtuesi Pëllumb Salillari, Bashkia e Himarës dhe Autoriteti Rrugor hartuan një raport teknik për rrëshqitjen e rrugës, duke mashtruar publikisht sikur shkaku ishin reshjet e shiut, edhe pse garancia e kësaj rruge ishte 10 vjet.

Auditimi i kryer nga ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit më 11 janar 2021 konstatoi se shkaku i rrëshqitjes nuk ishin reshjet, por moszbatimi i projektit teknik nga kompania “Salillari Sh.p.k” dhe mungesa e mirëmbajtjes pas ndërtimit, detyrim që i takonte po kësaj kompanie sipas kontratës.

Autoriteti Rrugor, në vend që ta detyronte Pëllumb Salillarin të rindërtonte rrugën me shpenzimet e veta, zhvilloi një tender tjetër me objekt: “Emergjencë – Evitimi i rrëshqitjes në rrugën e Borshit”, me fond limit 1.6 miliardë lekë.

Kujtojmë se Pëllumb Salillari po ashtu akuzohet edhe për ndërtim pallatesh pa leje në Tiranë, për shkatërrim të zonës së mbrojtur në Lumas të Kuçovës, për falsifikim dhe korrupsion me tenderë, për koncesionin 60 milionë euro të Portit të Vlorës dhe për grabitje tokash për park energjie fotovoltaike në Fier.

 

hetimet për abuzimet me rrugët spak salillari

Lini një Përgjigje