
Avokati dhe ish-prokurori Ervin Karanxha ka reaguar pas vrasjes së rëndë të gjyqtarit Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit.
Karanxha ka hedhur dritë mbi problemet e thella që lidhen me kushtet e sigurisë në ambientet gjyqësore në Shqipëri.
“Sikur të sigurojmë kushtet e sigurisë si në burg, nuk bëhen fare gjyqe”, tha Karanxha për “News 24” duke ironizuar situatën.
Sipas tij, nëse do të zbatoheshin masa ekstreme sigurie, atëherë seancat gjyqësore nuk do të mund të zhvilloheshin në mënyrë funksionale.
“Një person nuk i kontrollon dot 100 vetë, është e pamundur. Vetëm po të jetë ‘Spider-Man’ mund t’i kapë të gjithë”, shtoi ish-prokurori me tone kritike.
Karanxha theksoi se nuk është e drejtë që fajësia për ngjarje të tilla t’i mbetet vetëm punonjësit të sigurisë.
“Atij rojës do i ngelë faji, por puna nuk është faji i rojës. Themeli i problemit është më i thellë”, përfundoi Karanxha, duke lënë të kuptohet se dështimi është sistematik dhe ka të bëjë me mënyrën se si është ndërtuar dhe funksionon i gjithë sistemi i drejtësisë dhe sigurisë në vend.
Lini një Përgjigje