
Vetëm dy emra kanë dorëzuar aplikimin për kreun e SPAK...
Kush do të jetë pasuesi i Altin Dumanit në krye të Prokurorisë së Posaçme? Kjo pyetje duket se shumë shpejt do të marrë një përgjigje. Nesër është afati i fundit për të gjithë ata që synojnë të marrin kreun e SPAK.
Sipas informacioneve, deri më sot kanë dorëzuar aplikimet vetëm dy emra: Klodian Braho dhe Elvin Goka.
Ndërkohë flitet se do të shfaqin interes edhe Adnan Xholi dhe Doloreza Musabelli, të cilët pritet ta bëjnë nesër aplikimin. Po ashtu do të shohim nëse do të shfaqin interes edhe emra të tjerë.
Sipas ligjit, Altin Dumani në dhjetor do të duhet të dorëzojë detyrën. Ai nuk ka të drejtë rikandidimi. Edhe pse pati një presion nga ndërkombëtarët për të mundësuar rikandidimin, PS e injoroi.
Pas mbylljes së afatit, KLP do të ketë në dispozicion 2 muaj për të shqyrtuar kandidaturat, zhvilluar intervistat publike dhe për të marrë vendimin me votim.
Kur u zgjidh Altin Dumani 3 vite më parë, pamë një skenë që nuk ndodh shpesh. Ambasadorja Yuri Kim u shfaq në mbledhjen e KLP dhe duket se ishte ajo që bllokoi ndikimin politik duke sjellë emërimin e Dumanit.
Por edhe në këtë garë ka sinjale se politika do të fusë duart dhe si SHBA, ashtu edhe BE kanë dërguar mesazhe te KLP që të zbatojë ligjin.
Por teksa nesër mbyllet gara për kreun e SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit është ende pa drejtues. Më 31 gusht u largua Aida Hajnaj dhe drejtimin e ka marrë nënkryetari, i cili është dhe në garë për kreun. Procesi ka ngecur te vetingu i figurës dhe pasurisë për 7 kandidatët, por gojët e liga flasin se arsyeja e zvarritjes lidhet edhe me konflikte të brendshme në PS, ashtu edhe me ndikime politike. /Pamfleti
Lini një Përgjigje