Lumi i Bunës - Velipojë është Zonë e Mbrojtur me ligj dhe njëkohësisht Ligatinë me Rëndësi Ndërkombëtare...
Organizata mjedisore PPNEA ka kundërshtuar ndërtimin e resortit turistik nga Bashkim Ulaj në fshatin Baks-Rrjoll në Velipojë, duke paralajmëruar se projekti rrezikon të dëmtojë një zonë të mbrojtur me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.
Përmes një deklarate publike, organizata theksoi se zona ku po zhvillohet projekti “Blue Borgo” është pjesë e kompleksit Lumi i Bunës – Velipojë, i shpallur Zonë e Mbrojtur me ligj dhe njëkohësisht Ligatinë me Rëndësi Ndërkombëtare sipas Konventës Ramsar.
“Kjo nuk është një zonë e zakonshme zhvillimi. Lumi i Bunës – Velipojë është Zonë e Mbrojtur me ligj dhe njëkohësisht Ligatinë me Rëndësi Ndërkombëtare (Ramsar), zona më e madhe e kësaj konvente në Shqipëri”. deklaroi PPNEA.
Sipas organizatës, ky kompleks ligatinor është ndër më të pasurit në rajonin e Adriatikut për biodiversitetin dhe ruajtjen e integritetit ekologjik të ekosistemeve bregdetare.
Projekti “Blue Borgo”, i cili ka nisur tashmë punimet, parashikon ndërtimin e një resorti turistik me 33 struktura akomodimi, me lartësi nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Ndërtimi është planifikuar të realizohet brenda një periudhe 60-mujore nga kompania “Gener 2”, e cila mban statusin e investitorit strategjik.
PPNEA argumenton se zona përfshin duna bregdetare të paprekura, laguna, habitate të rralla dhe korridore ekologjike jetike për peshqit dhe gjitarët e egër. Sipas saj, aty strehohen qindra shpendë shtegtarë, përfshirë lloje të rrezikuara globalisht.
“Çdo vit, shpendë dimërues gjejnë strehë në këtë ekosistem unik, duke e bërë këtë zonë një thesar natyror kombëtar dhe evropian”, thekson organizata, duke shtuar se zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të realizohet duke dobësuar statusin e mbrojtjes së zonave me vlera të jashtëzakonshme natyrore.
“Mbrojtja e saj është një detyrim ligjor, kombëtar dhe ndërkombëtar”, përfundon deklarata.
Projekti është kundërshtuar gjithashtu nga banorë të zonës, të cilët pretendojnë se pronat e tyre janë tjetërsuar përmes falsifikimit të dokumenteve. Nga ana tjetër, kompania zhvilluese “Gener 2” ka deklaruar se ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore për marrjen e lejes së ndërtimit dhe për zhvillimin e projektit.
Çështja pritet të vijojë të mbetet në qendër të debatit publik, mes shqetësimeve për mbrojtjen e mjedisit dhe interesave për zhvillim turistik në zonat bregdetare.
Lini një Përgjigje