TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Dhjetor 2023, 18:45

Do ndryshojë mendje SPAK për Beqajn? Ish-ministri merret 10 orë në pyetje, del i “squllur” nga prokuroria

Shkruar nga Pamfleti
Do ndryshojë mendje SPAK për Beqajn? Ish-ministri merret 10 orë
Beqaj pas daljes nga SPAK

Mbetet të shihet nëse SPAK do bindet për të arrestuar Beqajn, apo do të vijojë loja me dy standarde...

Ish-ministri Ilir Beqaj ka dalë pas afro 10 orësh nga SPAK. Ai u mor sot sërish në pyetje për aferën e sterilizimit dhe ka dhënë sqarime gjatë gjithë ditës. Pas daljes nga prokuroria, Beqaj dukej i “squllur”, duke dhënë sinjale se i ka pisk punët.

"Siç e dini që nga data 20 nëntor jam një person në hetim për sterilizimin. Patëm një seance pyetjesh me OPGJ. Kryesisht për ato gjëra që jam pyetur më parë. Bashkë me avokatin kërkuam që të bëhen dhe disa veprime hetimore shtesë, për kohën kur unë nuk kam qenë ministër", tha ai.

Vetë SPAK kërkoi “detyrim paraqitje” ndaj tij pak kohë më parë, duke i “lidhur duart” gjykatës. Vetë gjyqtari Erion Bani në vendimin e tij kërkoi që të thellohen hetimet ndaj Beqajt dhe të kërkohet një masë sigurie më e rëndë. Sipas vendimit, Beqaj cilësohet si përgjegjës kryesor dhe SPAK e amnistoi duke e lënë në detyrim paraqitje.

Por sot ai u mor sërish në pyetje dhe këtë herë si person nën hetim dhe mbetet të shihet nëse SPAK do bindet për të arrestuar Beqajn, apo do të vijojë loja me dy standarde.

Në vendimin prej 303 faqesh për seancën e marrjes në pyetje të Beqajt më 20 nëntor në gjykatë, konstatohet se kontrata koncesionare nuk është lidhur bazuar në procedurat ligjore dhe arsyetohet se ish-ministri Beqaj ka shkelur ligjin gjatë procesit të negocimit të kontratës, duke shtuar dëmet për shtetin dhe favoret për kompanitë private.

Përplasja mes gjyqtarit Bani dhe prokurorëve të SPAK për rolin e ish-ministrit Beqja në koncesionin problematik të sterilizimit nuk ndodh për herë të parë. Në gusht të këtij viti, emri i Beqajt mungoi në kërkesat për masë sigurie të prokurorëve Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, ndërsa Bani vlerësoi se kishte prova të mjaftueshme për të ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës ndaj tij.

Në seancën e marrjes në pyetje të 20 nëntorit 2023, Beqaj u rezervua të japë shpjegime, por përmes një statusi të publikuar në Facebook, ai i ka quajtur akuzat të pabazuara dhe shprehu besimin se emri i tij do “të pastrohet përfundimisht nga akuzat”.

Sipas gjykatës, pas hetimeve shtesë të bëra nga prokuroria duke administruar aktet e ekspertimit të telefonave të personave në hetim, krijohet bindja se Beqaj ka qenë në dijeni të të gjitha procedurave dhe dokumentacionit që ka administruar Komisioni i Dhënies me Konçesion. Bani shkon më tej në arsyetimin e tij, duke vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se Beqaj ka cilësinë e organizatorit në këtë veprimtari kriminale të dyshuar për dhënien e koncesionit të sterilizimit fituesit të paracaktuar.

Bazuar në këto rrethana, gjykata çmon se Beqaj duhet të procedohet jo vetëm për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim, por edhe për veprën penale “falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, parashikuar nga neni 190, paragrafi i tretë, i Kodit Penal, që parashikon dënimin me burgim nga tre deri në 7 vjet.

Kjo akuzë buron nga ndryshimi që pësoi kontrata e partneritetit publik privat gjatë fazës së negocimit, ku sipas gjyqtarit Bani u hoq vlera maksimale e mbështetjes buxhetore si dhe u ngarkua sektori publik me kostot e energjisë elektrike dhe ato të ujit në favor të kompanive private. Sipas tij, procedura e përzgjedhur nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, e hapur me negocim kontrate, si dhe negocimi i kontratës me operatorin ekonomik fitues të kryesuar nga Servizi Italia s.p.a, është bërë në kundërshtim të “hapur dhe flagrant” me aktet ligjore dhe nënligjore.

Ai argumenton se nuk duhej të kishte negocim lidhur me kushtet e kontratës, por fituesi duhet të lidhte kontratën menjëherë pas publikimit të njoftimit të fituesit, pasi kriteret e paraqitura në ofertë përbëjnë kushte të panegociueshme dhe nuk mund të ndryshohen në asnjë rast.

Në vijim, gjykata vëren se gjatë negociatave është hequr vlera maksimale e mbështetjes financiare në shumën 9 miliardë e 657 milionë lekë pa TVSH, e llogaritur si pagesë e 10 viteve së bashku, duke ndryshuar një nga kushtet thelbësore të kontratës, nga çmim i përcaktuar në të papërcaktuar.

Lini një Përgjigje