
Ish këshilltari i Familjes Mbretërore Murat Basha është shokuar ku ka parë videon e dhunës ndaj Princ Lekës nga ish bashkëshortja e tij.
Në “Jetë Shqiptare” në RTSH, Basha tha se ai i ka ndërpre marrëdhëniet me Familjen Mbretërore 14 vite para që kur vdiq Mbreti Leka dhe Princi dhe Elia nuk kishin më nevojë për shërbimet e tij.
Murat Basha tha se Princ Leka është një djalë i jashtëzakonshëm dhe e ka shumë të vështirë të besoj se ai ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij. Ish këshilltari Basha tha se mes çiftit “diçka nuk ka funksionuar për një kohë të gjatë” dhe për këtë arsye u ndanë.
Pas denoncimit të Princit Leka dhe kallëzimit penal ndaj ish-bashkëshortes së tij Elia Zaharia për veprën penale “dhunë në familje”, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet.
Princ Leka dhe Zaharia kanë depozituar të dy kallëzime në Polici, duke pretenduar për dhunë. Për rastin Policia ka lëshuar urdhër mbrojtje për të dy. Ndërkohë janë publikuar edhe video nga përplasja që Princi dhe Zaharia kanë pasur në rezidencën e familjes mbretërorë. Ngjarja ka ndodhur pasditen e 5 marsit, ku Princ Leka dëshmon se ka vajtur për të takuar të bijën, por ka hasur në dhunën e ish-vjehrrit fillimisht dhe më pas të ish-bashkëshortes.
Intervista e plotë me ish këshilltarin e Familjes Mbretërore Murat Basha
Gazetarja: Zoti Basha si e keni parë ju këtë ngjarje dhe a ka patur konflikte të mëparshme mes Elias dhe Princit?
Murat Basha: Ngjarja që ka ndodhur është e shëmtuar dhe më vjen keq për atë që ka ndodhur. Më vjen shumë keq për Princ Lekën se tashmë është i vetëm pa njeri. Dhe një familje që ndërtoi nuk e ka më. Nuk di të ketë pasur konflikte më përpara. Di gjë diçka midis tyre nuk ka funksionuar për një kohë të gjatë, por kur gjërat nuk shkojnë mund të ndahen dhe nuk janë më bashkëshortë.
Gazetarja: Pse mendoni se ka shkuar deri në këtë fazë konflikti?
Murat Basha: Të jem i sinqertë unë prej 14 vitesh nuk kam marrëdhënie. Që kur ka vdekur Mbreti Leka mbylla raportet pasi unë isha një i afërm i tij dhe këshilltarë politik. Unë i pyeta nëse kishin më nevojë për këshillat e mia dhe kjo vajza në atë kohë e dashura e tij tha “jo ne nuk kemi më nevojë për këshillat e tua” dhe unë u largova. Kam qenë i ftuar në dasmën e tyre dhe nuk kam marrë pjesë për arsyet e mia dhe nuk kam pasur më raporte me ta.
Gazetarja: Po thoni që kur Elia është futur në familjen mbretërore ju nuk keni pasur më kontakte me Princ Lekën?
Murat Basha: Jo, pas vdekjes së Mbretit Leka dhe pas kësaj bisede që bëra me ta në oborrin mbretëror unë nuk kam pasur më raporte, përveçse raporte kortezie kur takoheshim diku.
Gazetarja: Kur i keni pasur kontaktet e fundit me Princ Lekën?
Murat Basha: Që kur i takova nëse kishin nevojë më për këshillat e mia pas vdekjes së Mbretit Leka, asnjë bisedë tjetër nuk kam pasur.
Gazetarja: Në opinionin tuaj mund të jetë e vërtete se Princi Leka ka ushtruar dhunë ndaj Elias dhe babait të saj?
Murat Basha: Hetimet do të nxjerrin të vërtetën. Princ Leka që kam njohur unë është djali më i mirë, më i ndershëm dhe më i urtë dhe më i sjellshëm. Këtu e 14 vite para që e kam njohur dhe mendoj se gjenetika nuk ndryshon kollaj dhe nuk besoj se ai të mund të ketë ndryshuar kaq shumë dhe të ketë ushtruar dhunë. Por hetimet do të nxjerrin të vërtetën. Një djalë që nuk di të gënjejë, ai o nuk flet fare ose thotë të vërtetë, unë kështu e kam njohur.
Gazetarja: Po raporti që keni pasur me Elian? Po më thoni që ka qenë ajo që ju ka thënë që nuk ka pasur më nevojë për këshillat tuaja?
Murat Basha: Ajo u përgjigj por jo se e mori ajo vendimin. Në një vend ku nuk je i dëshiruar është më mirë të largohesh.
Gazetarja: Ju keni kaq vite në oborrin mbretëror a e konsideroni këtë ngjarje si një nga skandalet më të rënda që ka pasur Pallati Mbretëror ?
Murat Basha: Unë nuk di të ketë patur kurrë skandale. Unë nuk di të ketë shkëmbyer Mbreti Leka një fjalë jo më të ketë pasur debate. Kjo është një ngjarje që më ka habitur dhe jam shokuar dhe e kam marrë vesh nga mediat. Nuk e kam pritur, ishte shok emocional.
Gazetarja: Doja t’ju pyesja edhe raportet qe ka pasur Princ Leka me personat e tjetër në sjelljen e përditshme ka shfaqur ndonjëherë agresivitet siç kanë qenë pretendimet e Elias?
Murat Basha: Unë e kam njohur për djalë të urtë dhe të ndershëm. Unë kështu e kam njohur.
Gazetarja: Si e lexuat videon që patë në media?
Murat Basha: Pata vetëm dhimbje dhe hidhërim të madh se më vjen keq pa fund për atë djalë që me shumë mund arriti të ndërtoj një familje që të mbështetej dhe ai prapë ngeli vetëm sot.
Gazetarja: Do ndikojë kjo ngjarje në reputacionin e Princit?
Murat Basha: Shiko ajo e ka goditur rëndë figurën e Princit, por unë i qëndroj besnik të vërtetës që njoh unë që ai është djalë i jashtëzakonshëm. Se si përcaktohet nga njerëzit, ata gjykojnë me emocione duke u futur në histori. Për mua ai është djalë i jashtëzakonshëm dhe me vjen shumë keq për fatin e tij.
Gazetarja: Po për marrëdhënien që ka pasur fillimisht Princ Leka me Elian, është aluduar se mund të ketë qenë një raport i nxitur për shkak të raporteve të tyre?
Murat Basha: Unë nuk di asgjë në marrëdhënien e tyre, nuk kam ndërhyrë kurrë.
Lini një Përgjigje