
Aksioni për ndalimin e monopatinave elektrike në Tiranë, i ndërmarrë rreth katër muaj më parë nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, ka mbetur pa rezultat konkret. Pavarësisht paralajmërimeve fillestare dhe masave të ndërmarra, sot monopatinat elektrike qarkullojnë sërish lirshëm në rrugët e kryeqytetit.
Ndalimi i përkohshëm i monopatinave u njoftua publikisht nga ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, të cilët argumentuan masën me shtimin e rasteve të aksidenteve. Sipas deklarimeve, ndalimi do të ishte i përkohshëm, deri në hartimin dhe miratimin e një rregulloreje të posaçme për qarkullimin e tyre.
Pas këtij njoftimi, Policia Rrugore nisi një operacion në terren, duke bllokuar rreth 2 mijë monopatina që qarkullonin pa një kuadër ligjor të miratuar.
Megjithatë, rregullorja e paralajmëruar nuk u hartua dhe as u miratua brenda afatit të pritur. Si pasojë, kontrollet në terren u rralluan dhe aksioni u shua gradualisht. Në mungesë të një baze ligjore dhe të zbatimit të masave ndaluese, monopatinat janë rikthyer masivisht në përdorim.
Aktualisht, qytetarët mund të lëvizin me monopatina elektrike pa asnjë kufizim të dukshëm dhe pa u ndalur nga policia, çka në praktikë tregon se ndalimi nuk po zbatohet.
Ndërkohë, ka nisur edhe procesi i kthimit të monopatinave të sekuestruara më herët, por ky proces po shoqërohet me ankesa. Në disa raste, qytetarët kanë deklaruar se nuk po i gjejnë më mjetet e tyre të bllokuara, duke ngritur dyshime mbi mënyrën e administrimit dhe ruajtjes së tyre nga autoritetet.
Deri më tani, nuk ka një qëndrim zyrtar mbi arsyet e mosmiratimit të rregullores dhe as mbi përgjegjësitë për administrimin e monopatinave të sekuestruara. Mungesa e këtyre sqarimeve lë të hapur çështjen e sigurisë rrugore dhe të trajtimit ligjor të monopatinave elektrike në Tiranë.
Lini një Përgjigje