Ndërsa Shoqata e Prokurorëve bashkohet me nismën kushtetuese për rritje pagash, një investigim ngre dyshime serioze për mungesë kontrolli integriteti dhe rikthen urgjencën e testit të detyrueshëm të drogës në sistemin e drejtësisë.
Kërkesa e Shoqatës së Prokurorëve për rritje të ndjeshme page deri në rreth 5500 euro në muaj hap një debat që nuk ka të bëjë vetëm me financat publike, por me vetë standardin moral dhe institucional të drejtësisë shqiptare.
Shoqata iu bashkua sot nismës kushtetuese të gjyqtarëve pranë Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se paga aktuale nuk përputhet me përgjegjësitë e funksionit. Por në të njëjtën kohë, informacione të mbledhura nga burime brenda sistemit të drejtësisë hedhin dyshime serioze mbi integritetin e disa prej anëtarëve aktivë të kësaj shoqate.
Sipas këtyre burimeve, ekziston të paktën një rast i dokumentuar në rrugë institucionale ku një prokuror dyshohet për përdorim të substancave narkotike. Nuk bëhet fjalë për thashetheme informale apo sulme personale, por për sinjalizime që janë ngritur zyrtarisht dhe që deri tani nuk kanë marrë as sqarim publik dhe as trajtim transparent.
Ky fakt e zhvendos debatin nga niveli i pagave te niveli i besueshmërisë. Një sistem që kërkon rritje page duhet më parë të provojë se kontrollon veten. Në mungesë të mekanizmave bazë të verifikimit të integritetit personal, çdo kërkesë financiare humbet legjitimitetin moral.
Në asnjë profesion me përgjegjësi të lartë publike nuk pranohet rritje page pa standarde kontrolli. Prokurori nuk është thjesht nëpunës i paguar, por përfaqësues i interesit publik, mbajtës i akuzës penale dhe garant i ligjshmërisë. Çdo dyshim mbi gjendjen e tij fizike dhe mendore prek drejtpërdrejt procesin penal, vendimmarrjen dhe fatin e qytetarëve.
Pikërisht për këtë arsye, testi i drogës për gjyqtarët dhe prokurorët duhet të jetë i detyrueshëm, periodik dhe i verifikueshëm nga struktura të pavarura. Jo si masë ndëshkuese, por si standard minimal funksionimi. Nëse një pilot, një polic apo një shofer i transportit publik i nënshtrohet këtij testi, nuk ka asnjë arsye që një prokuror të përjashtohet.
Heshtja institucionale për këto dyshime e rëndon edhe më shumë situatën. Shoqata e Prokurorëve, në vend që të kërkojë vetëm rritje page, duhet të kërkojë vetë pastrim, transparencë dhe verifikim të brendshëm. Vetëm kështu mund të pretendojë trajtim elitar.
Drejtësia shqiptare nuk ndodhet sot në krizë pagash, por në krizë besimi. Pa adresuar këtë krizë, çdo rritje page rrezikon të perceptohet jo si investim në cilësi, por si shpërblim për një sistem që refuzon të japë llogari.
Ky nuk është thjesht debat financiar. Është provë për seriozitetin e reformës në drejtësi dhe për gatishmërinë e saj për t’u përballur me standardet që i kërkon shoqërisë. Nëse drejtësia nuk kontrollon veten, askush nuk do ta besojë se kontrollon të tjerët./Pamfleti
U mnars mali e poli nji mi! Gjith ky artikull, me interes tmadh publik, e pa emra konkret! Opinioni publik do emra qe tknaqet, pa emra, nuk u i intereson ne kete vend askujt fenomeni! Ndrushe artikulli publikohet e sot e neser harrohet