TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Shkurt 2026, 15:53

40 faqe listë provash, Kryemadhi zbulon faktet që paraqiti SPAK në GJKKO

Shkruar nga Pamfleti
40 faqe listë provash, Kryemadhi zbulon faktet që paraqiti SPAK
Monika Kryemadhi

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur prova të konsiderueshme dhe ka zbardhur detaje nga dosja hetimore gjatë gjyqit paraprak ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe katër të pandehurve të tjerë, duke kërkuar kalimin e çështjes në gjykim themeli.

Sipas SPAK, hetimi është mbështetur në një volum të gjerë provash dokumentare dhe financiare, përfshirë analiza të transaksioneve, bilance ekonomike dhe letërporosi ndërkombëtare, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të lidhura me çështjen e lobimit. Prokuroria ka argumentuar se këto materiale krijojnë dyshime të bazuara për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie nga ana e të pandehurve.

Pas përfundimit të seancës, Monika Kryemadhi reagoi para mediave, duke bërë të ditur se SPAK ka zbardhur edhe listën e provave në fund të procesit paraprak. Ajo deklaroi se lista përmban mbi 40 faqe materiale, përfshirë intervista dhe shkrime mediatike, të cilat, sipas saj, nuk duhet të trajtohen si prova në kuptimin procedural.

Kryemadhi kritikoi gjithashtu mënyrën e paraqitjes së relacionit nga prokuroria, duke e cilësuar atë si të përsëritur në disa pjesë, ndërsa përdori tone ironike ndaj procesit. “Prokurori mbaroi relacionin, por ishte përsëritje e të njëjtave elemente për të rritur volumin e materialeve”, u shpreh ajo.

Në fund na u dorëzua lista e provave, rreth 40 e ca faqe, ku ka intervista, shkrime e gazeta. Për herë të parë, edhe në kohën e diktaturës këto nuk quheshin prova, por thirrej intervistuesi dhe merrej dëshmia në formën e provës”, tha Kryemadhi.

Ndërkohë, SPAK ka këmbëngulur se provat e administruara gjatë hetimit janë të mjaftueshme për të çuar çështjen në gjykim themeli, duke theksuar se dosja përmban të dhëna të detajuara mbi lëvizje të dyshuara financiare dhe pasuri të pajustifikuara.

 

Lini një Përgjigje