Ju ftojmë të ndiqni zhvillimet kryesore nga kronika e zezë deri në këtë orë të ditës, ku ndër të tjera veçojmë:
Një tragjedi goditi një familje shqiptare në Itali, ku katër anëtarë humbën jetën nga rrjedhja e gazit të kaldajave, ndërsa vëllai i kryefamiljarit mbeti i lënduar.
Emirjana Sako akuzohet për tre vepra penale, ndërsa Prokuroria ka sekuestruar të gjitha dosjet e tenderëve të Bashkisë Durrës, duke hedhur dritë mbi skemat abuzive financiare që ndikuan te përmbytjet.
Kryebashkiaku i Gjirokastrës u thirr në SPAK, me dyshime për lidhje me tenderët e bashkisë nën drejtimin e Flamur Golemit, ndërsa sulmet kibernetike ndaj SPAK-ut nxorën në pah shqyrtimin paraprak të ish-kreut të
Burgjeve në GJKKO dhe dy personave të tjerë.
Banorët e Baks-Rrjolli protestuan para SPAK, duke kallëzuar për korrupsion, falsifikim dhe ndikim të paligjshëm, ndërsa Apeli i ktheu vetëm disa prej pajisjeve elektronike, zyrtares së Policisë, Ervina Gjana.
Familja e Saimir Gjokës vazhdon të kërkojë drejtësi, duke pretenduar se ka dëshmitarë okularë për aksidentin që i mori jetën.
Një tjetër ngjarje tragjike ndodhi në Belsh, ku 65-vjeçarja Emine Agolli humbi jetën pas kafshimit nga qeni i fqinjit, duke hapur hetime të reja nga autoritetet.
Ndërkohë, në GJKKO, Hoxhaj dëshmoi për një konflikt të gjatë me Boriçin, që nisi në vitet ’90 dhe përfundoi me hakmarrje, duke reflektuar tensionet dhe pasojat e përplasjeve të së shkuarës.
Ngjarja e dhimbshme në Këlcyrë; vëllai, xhaxhai dhe burri i një 30-vjeçareje u lanë në burg për dhunim dhe privim të lirisë.
Në Sarandë, një konflikt për motive të dobëta përfundoi me plagosjen e një 48-vjeçari, i cili rrezikon të humbasë syrin, ndërsa autori është vënë në pranga.
Në nivel ndërkombëtar, një shqiptar nga Kosova, i dënuar për vrasje në 1999, u kap në aeroportin e Stuttgartit dhe deportua më pas, ndërsa një biznesmen kolumbiano-venezuelian, i lidhur me Maduro, u arrestua dhe ekstradohet në SHBA për një skemë korrupsioni prej 350 milionë dollarësh.
Lini një Përgjigje